Festa, drekë në Shtëpinë e të Moshuarve

999
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me rastin e Kurban Bajramit, ka shtruar drekën e kësaj feste në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Qëllimi i kësaj dreke ishte që të moshuarit të kalonin një ditë ndryshe, duke festuar me njëri-tjetrin dhe duke shkëmbyer urime për Kurban Bajramin. Gjatë drekës i pranishëm ishte edhe kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj, i cili theksoi se simbolika e kësaj feste është të qëndruarit pranë njerëzve në nevojë, të moshuarve, fëmijëve etj. “Në mungesë të prindërve të mi, jam këtu sot për të ndarë disa çaste gëzimi me ju. Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem në mesin tuaj dhe ta festoj këtë drekë Bajrami me njerëz si ju”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së. Gjatë kësaj dreke punonjës të KMSH-së drekuan dhe biseduan me të moshuarit, duke mundësuar që ata të kalonin një kohë të këndshme më rastin e Kurban Bajramit. “Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Bajrami është solidarizim me masat. Për ata që nuk kanë asnjë mundësi materiale është buzëqeshje, është përkrahje shpirtërore, është lutje e sinqertë për çdokënd”, thuhet në njoftimin zyrtar të KMSH-së.
Sigal