Festa apo manifestimi i 1 Majit. Si u vendos me ligji 8 orë punë?

167
Sigal

Më 1 Maj 1890-ës u organizua manifestimi i parë botëror i punëtorëve

Festa e 1 Majit. Si u vendos ligji 8 orë punë?

Albert Z. ZHOLI

Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. Në shumë vende të botës përkujtohet më 1 Maj, dita e punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve. Është një festë, që festohet më 1 Maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve. Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve, që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte në orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA).

Lufta Botërore e Punëtorëve

Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parrulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855 e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 Maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Nga Kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ato që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate qenë pa dyshim organizatat e punëtorëve amerikanë. Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh. Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë. 1 maji i vitit 1886 ra ditë e shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen,- 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre. Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë provë tetë eksponentë anarkikë. Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës. Më 20 korrik 1889 kongresi themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 Majin e 1890-ës manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima. Vetëm në gusht të vitit 1891, kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”.

Shqipëria dhe 1 Maji

Për herë të parë 1 Maji është kremtuar në Shqipëri në vitin 1905, kohë kur Shqipëria ende ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Të paktën kjo shkruhet në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” të autorit Stilian Adhami, publikuar në vitin 1969. Autori shkruan se me 1 Maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan në një manifestim nëpër rrugë dhe një piknik jashtë qytetit të Shkodrës, në urën e Mesit.

1 Maji në sistemin monist

Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, 1 Maji ose “Dita e klasës punëtore” konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Me rastin e saj organizoheshin aktivitete dhe manifestime në të gjithë vendin. Një manifestim i madh zhvillohej në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit, ndërsa në tribunën kryesore të vendosur para Hotel Dajtit dilte udhëheqja e PPSH për të përshëndetur klasën punëtore. Paradat që organizoheshin në formën e kuadrateve (kuadratet e nxënësve të shkollave, kuadratet e studentëve, kuadratet e klasës punëtore nga ndërmarrje të ndryshme të vendit, kuadratet ushtarake), përshëndesnin udhëheqësit e lartë të Partisë. Kjo festë shfrytëzohej për të treguar se Partia dhe udhëheqësi i saj ishin të pagabueshëm dhe po e udhëhiqnin vendin drejt lulëzimit ekonomik. Pasditja shoqërohej me aktivitete festive nëpër shkolla, në kooperativa apo në ndërmarrje të ndryshme ku shpalleshin edhe punonjësit e dalluar të vitit. Edhe një herë, me këtë rast, klika e kohës gjente rast të reklamonte arritjet dhe madhështinë e “Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën”. Festa e 1 Majit, nga një festë me origjinë manifestimin dhe protestën për lehtësimin e kushteve të punës së punëtorëve, u kthye në një festë ku Partia-Shtet reklamonte “zhvillimin e madh që kishte vendi”.

 

Pas shpërbërjes së BS

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rënien e qeverive komuniste në Europën Lindore në fund të shekullit 20, festimet në shkallë të gjerë të 1 Majit në atë rajon ranë për nga rëndësia. Në dhjetëra vende të botës, megjithatë, 1 Maji është njohur si një festë publike dhe ajo vazhdon të festohet me pikniqe dhe festa, ndërsa shërben si rast për demonstrata dhe tubime në mbështetje të punëtorëve.