Fatos Klosi: Donald Lu, mesazhe të forta, prisnim emra politikanësh

753
Alma Çuka
“Donald Lu nuk na tha asgjë të re. Prisnim të na thoshte emra konkretë. Këto ne i dimë. Deklarata e tij, mesazh i fortë për politikën”
Ish-shefi i SHIK Fatos Klosi i konsideron të forta për deklaratat e bëra përpara magjistratëve nga ambasadori amerikan Donald Lu. Pranon se krimi është rritur ndjeshëm në vend, por thotë se Lu edhe më parë ka thënë të njëjtat gjëra. Priste të dëgjonte emra konkret politikanësh. E konsideron të gabuar termin “familje” të përdorur nga Lu. Sipas Klosit, ai e ka huazuar këtë term nga mafia italo-amerikane, por në të vërtetë ky nuk i përshtatet vendit tonë. Nuk mendon se deklaratat kishin shënjestër qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pranon se ky i fundit ka përgjegjësitë e veta lidhur me rritjen e krimit dhe pushtimin e vendit nga droga. Po kështu Klosi shprehet se kryeministrit Edi Rama i iku situata nga duart vitet e fundit, kur Shqipëria u pushtua nga parcelat e drogës. Ndërsa shton dhe ka bindjen se tashmë kjo punë do të marrë fund. Komenton edhe ngjarjen e Elbasanit, për të cilën thotë se është përgjegjësi e policisë së shtetit. Ndërkohë nuk është aspak dakord me raportin e OSBE/ODIHR, i cili argumentonte se qeveria ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. Sipas Klosit deklaratat e ambasadorit amerikan i drejtohen sistemit të drejtësisë dhe u bënë në këto momente pikërisht për të inkurajuar politikën për të përfunduar procesin e Vetingut. Sa për nxjerrjen e emrave të politikanëve që k anë lidhje me krimin, Klosi ka besim se ata do të dalin vetëm pasi të jetë reformuar drejtësia, për të cilën është skeptik se do të bëhet në një kohë të shkurtër. “Nuk shoh dritë në fund të tunelit” shprehet Klosi.
Zoti Klosi mendoni se ambasadori amerikan Donald Lu bëri një deklaratë të fortë kundër politikës, kur tha se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar?
Unë mendoj se deklarata që ambasadori amerikan bëri, është e fortë dhe nuk mund të konsiderohet ë vogël. Kjo u duk edhe në reagimin që pati në media. Ishte një deklaratë e fortë dhe mendoj se ishte kundër sistemit të drejtësisë dhe jo politikës. E kam këtë bindje, pasi ai foli para magjistratëve dhe me këtë rast donte t’u jepte një mesazh të fortë atyre në këtë moment, kur pritet të bëhet edhe Vetingu. Mendoj se donte t’u thoshte se situata është e rëndë dhe tashmë jeni ju ata që e keni në dorë ta ndryshoni atë. 

Sa e prek kryeministrin kjo deklaratë?
Personalisht nuk e prek fare. Këto deklarata bëhen për sistemin e drejtësisë dhe jo për partitë. Kryeministri në këtë rast ka për detyrë të nxisë reformën në drejtësi dhe të shtyjë partitë e tjera të bëhen bashkë për të reformuar sistemin më të përfolur. Ka për detyrë të arrijë me punë e tij që këto gjëra që kanë ndodhur deri më sot të mos bëhen më.

Pra ju mendoni se Kryeministri dhe qeveria nuk kanë përgjegjësi?
Jo. Përgjegjësi ai ka, sepse është në krye të qeverisë. Por në këtë rast jam i mendimit se ambasadori amerikan ka folur më shumë për sistemin e drejtësisë, se sa për qeverinë. Tek ne thuhen shumë gjëra. Është thënë nga opozita e katër viteve të mëparshme që ishte e majta kundër pozitës së atëhershme. Është thënë nga opozita e sotme që është PD-ja kundër qeverisë . Por këto janë argumente vetëm për të sulmuar pozitën dhe në asnjë rast ne nuk duhet t’i marrim të mirëqena. 

Politika është akuzuar shpesh se ka mbështetur grupet kriminale. E besoni këtë?
Unë do të doja që ambasadori amerikan t’i vinte gishtin dhe ndonjë politikani. Ata i njohin shumë mirë se kush janë grupet kriminale dhe kush janë politikanët që bashkëpunojnë me ta. I dinë shumë mirë se ku veprojnë. Por do të thosha se Donald Lu nuk na tha ndonjë gjë të re. Unë nuk e di nëse ka shembuj, kur politikanët janë pjesë e grupeve kriminale. Ata thonë se ka, por unë nuk kam dëgjuar. Flitet vetëm me thashetheme. Do të kisha qejf të dëgjoja nga ambasadori emra konkretë. Unë vet nuk i përgjigjem dot kësaj pyetje. Unë dëgjoj që ka. Opozita e thotë një gjë të tillë, por në asnjë rast askush nga ata, as ata të djeshmit dhe as këta të sotmit, nuk kanë dërguar emra në prokurori. 

Si do ta mësojmë të vërtetën?
I takon sistemit të drejtësisë të zbërthejë enigmën. Nëse Vetingu do të realizohet ashtu sikundër është thënë, atëherë ata gjyqtarë të rinj që do të marrin detyrën do të zbërthejnë gjithçka. Sot sistemi i drejtësisë nuk bënë dot gjë. Kjo për faktin se ata kanë hallin e tyre. Pas përfundimit të Vetingut, gjyqtarët e rinj të cilët nuk janë të lidhur me krimin dhe me politikën nuk do të kenë frikën të nxjerrin emrat e politikanëve të lidhur me botën e krimit. 

Besoni se do të vijë ajo ditë?
Të them të drejtën po bëhen 27 vjet dhe kemi dëgjuar të njëjtat gjëra. Unë nuk shoh dritë në fund të tunelit. E shoh të largët ditën kur drejtësia të thotë fjalën e saj, pavarësisht se presim që të realizohet Vetingu. Donald Lu nuk na tha asgjë të re dhe asgjë nga ato që ne nuk i dinim. Tha disa numra. Tha katër klane dhe 20 familje të cilat drejtojnë Shqipërinë. Mua as më duhen fare këto numra. Këto janë shifra për të treguar se në Shqipëri ekziston krimi i organizuar. Për mua fjala familje është përdorur keq nga ambasadori. Ai e ka huazuar këtë fjalë nga mafia italo-amerikane.

Mendoni se kjo deklaratë e rëndon pozitën e qeverisë?
Kjo situatë është tepër e rëndë. Por unë druaj nëse reforma në sistemin e drejtësisë do e bëj apo jo punë e saj. E gjithë Shqipëria është vetëm tre milion. Të gjithë e dinë shumë mirë se kush janë kriminelët. Një pjesë janë në burg, një pjesë në kërkim. Them se pozita e qeverisë dhe e kryeministrit nuk mund të rëndohet nga deklaratat. Por këto deklarata lëshuara nga ambasadori Donald Lu e pikërisht para Shkollës së Magjistraturës, janë detyra për të. Ai në këtë rast e vë në pozita pune qeverinë. I thotë se duhet të shpejtojë për të bërë Vetingun. Donald Lu tha opinionin e vet. Unë i di këto gjëra që tha ai. Nuk na nxori ndonjë të re. Nuk e konsideroj ngjarje të jashtëzakonshme. Emra politikanësh deri tani nuk kanë dalë. Është bërë dhe vazhdon të bëhet luftë politike. Pas 27 vitesh vazhdon e njëjta situatë. Politikanët merren me njëri-tjetrin, me familjarët e njëri-tjetrit, gratë. Por askush nga ata nuk shkon në prokurori dhe të jap emra konkret. Po të më thuash katër emra shefash krimi, nuk është ndonjë gjë e madhe. 

Pse këta emra dhe pse në këto momente?
Amerikanët kanë investuar shumë për Reformën në Drejtësi. Ata kanë kontribut të madh. Pa ndihmën e tyre marrja e 140 votave në Kuvend për reformën në Drejtësi nuk do të ishte e mundur. Ata detyruan partitë të bëheshin bashkë për këtë reformë. Kanë shpresa se Reforma në Drejtësi do të japë fryte pozitive. Donald Lu dha një mesazh. Por Shqipëria është akoma shumë prapa dhe nuk po ecën në rrugën e duhur për të realizuar procesin e Vettingut. E vetmja shpresë janë gjyqtarët e rinj të cilët do të kenë mbështetje dhe nuk do të tremben nga politika. Gjithsesi unë kësaj politike nuk i besoj aspak. 

Akuzat janë adresuar pikërisht për këtë qeveri dhe konkretisht për dy vitet e fundit të qeverisjes së saj. Donald Lu është shprehur se vendi është i pushtuar nga droga dhe pjesë e trafikut të saj është edhe policia e ndihmuar nga politika. Si e lexon këtë deklaratë?
Mendoj se kryeministri u godit rëndë në dy vitet e fundit nga përhapja e drogë snë të gjithë vendin. Këtë nuk mund ta mohojmë dot. Sepse shifrat flasin. Ka folur dhe opozita, kanë folur dhe të huajt, kanë folur dhe tonelatat e drogës së kapur. Por kam bindjen se kryeministri u vu në krye dhe mori masat për të minimizuar mbjelljen e drogës. Policia vitin e fundit ka marrë të gjitha masat për zhdukjen e drogës. Dhe them se e ka realizuar. Nuk është mbjellë drogë. Dhe nëse nuk mbillet nuk ka se çfarë të korret. Por them se kryeministrit i doli situata nga duart. Ai u përpoq. Nuk them se ia ka arritur 100%. Nuk them gjithashtu se është meritë e opozitës. Por jam i bindur se është më shumë meritë e pozitës, e cila ka marrë masat për të mos lejuar mbjelljen e hashashit. Kritikat që i bëhen qeverisë janë për përmirësimin e punës së saj. Edhe unë e di se çfarë bëhet në disa qytete të vendit ku fermerët përpiqen të mbjellin drogë. Por këtë vit nuk kanë mundur të mbjellin. Dhe këtu flas për fshatrat nga Tepelena e Mallakastra. Them se duk e shar qeverinë nuk ndreqin asgjë. Në këtë rast ne i japim krahë krimit, i cili duke dëgjuar sharjet që i bëhen qeverisë mendojnë se nuk kanë frikë. Kjo është filozofia e krimit. 

Zoti Klosi, jeni i të njëjtit mendim me mua se situata me krimin është rënduar? Them kështu duke iu referuar edhe ngjarjes së fundit në Elbasan, kur një makinë me element kriminal brenda, përplasi zv/shefin e komisariatit të Elbasanit. 

Ngjarja e Elbasanit është një tjetër problem. Ato janë problemet e policisë dhe le t’i zgjidh ajo. Le të nxjerrë kush janë fajtorët. Nuk mendoj se politika është e përfshirë në këto ngjarje. Nëse është Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, policia ta vërë para drejtësisë, por edhe nëse janë fajtorë policët dhe shefat e komisariatit të veprojë në të njëjtën mënyrë. Ata le të dënohen. Por jo për çdo rast të goditet qeveria. Le ta lëmë qeverinë të punojë. Nëse thuhet ndonjë gjë e keqe për të le të dalë me emra konkret dhe të mos flitet në përgjithësi. Fjalët e tepërta janë fukarallëk, nuk kanë argumente. Në këtë rast them se e gjithë përgjegjësia bie mbi policinë e cila duhet të bëjë punën e saj. 

Raporti i fundit i OSBE-ODIHR nxori në pah vjedhjen e votës në zgjedhje duke bërë përgjegjëse sërish politikën. Jeni njohur me këtë fakt?
Unë nuk e kam lexuar të plotë raportin, por pjesën që flet për vjedhjen e votës në masën 13 % kam lexuar. Më duket një gjë qesharake dhe jo e besueshme. Do të thosha se ata ja fusin kot. Flasin në përgjithësi. Kush janë këta persona që bëjnë raportet? Pse nuk dalin e të thonë se kush ishin ata që e blenë votën dhe ata që e shitën e atë? Pse nuk kanë çuar emra në prokurori ? Flasin për vjedhje në masën 13%. Pse nuk thanë 20 ose 14? Pra e gjitha është një tymnajë. Unë them se këto raporte janë kot dhe se ata që i bëjnë, janë të punësuar dhe nuk mbajnë përgjegjësi për çfarë flasin dhe shkruajnë. Vijnë këtu, shohin, shkruajnë ndonjë gjë dhe largohen duke shkuar në një tjetër vend. Nëse vërtetë do të kishte vjedhje vote, atëherë vet politika duhet të dalë me emra konkret dhe fakte e t’i dërgojë ato në prokurori për hetime të mëtejshme. 
Sigal