Fasadat e shkollave në Durrës, vende afishimesh për lajmërimet mortore

549
Sigal

SKANDAL/ Agjencitë e funeraleve mbushin muret me njoftime ndërsa Drejtoria Arsimore dhe drejtorët e shkollave heshtin

Kur gjendesh në afërsi të shkollave në qytetin e Durrësit vëren se në muret në afërsi të tyre ka një “bum” lajmërimesh mortore. Ky fenomen aspak i civilizuar për një qytet me emër si Durrësi, vihet re pothuajse në të gjitha fasadat e shkollave. Është e habitshme se si Drejtoria Arsimore apo edhe Policia Bashkiake e ka lejuar këtë fenomen, i cili ka bërë që fasadat e shumta të shkollave të shndërrohen në kënde të njoftimeve për raste vdekjesh. Nuk është etike për nxënësit e kësaj moshe, ashtu siç nuk është etike që një biblioteke e tërë siç është biblioteka angleze ta zhvillojë veprimtarinë e saj mbi një varrezë. Muret, avllitë, rrethimet janë mbushur ngado me njoftime që lajmërojnë qytetarët për personat që kanë ndërruar jetë. Një situatë e tillë nuk është se ka nisur kohët e fundit, por gjithnjë e më shumë po pushton çdo hapësirë të këtyre institucioneve edukative. Nxënës e mësues janë gjithnjë nën peshën e këtyre njoftimeve. Ata thuajse janë të kushtëzuar t’i lexojnë njoftimet e hidhura me apo pa dashjen e tyre për faktin se këto njoftime shtrihen në të gjithë hapësirën, ku ka mure.

Heshtja

Duke parë indiferentizmin e treguar nga drejtuesit e shkollave, kompanitë funerale nuk kanë hezituar të mbushin tej e tej muret me të tilla njoftime. Ato në jo pak raste vendosen në hyrje të dyerve dhe portave të shkollave, poshtë dritareve të mësimit, në faqe anësore, gjithandej. Nxënësit me dhe pa vullnet i shohin dhe i lexojnë emrat duan apo nuk duan pasi takohen me dhjetëra herë në ditë me këto kënde. Fillimisht veprime të tilla kanë nisur si test për shkollat. Ai kolektiv pedagogjike që ka guxuar të mos pranojnë njoftime të tilla për shkak të ndikimit emocional dhe edukativ që ofrojnë për nxënësit, ka shmangur këtë fenomen. Të tjerët kanë zgjedhur heshtjen.

Këndet

Nxënësit e thonë në mënyrë të hapur dhe të përsëritur se njoftime të tilla duhen vendosur në kënde të caktuara. Ata përjashtojnë çdo mundësi të ngjitjes së tyre në fasadat e shkollës. Agjencitë nuk kanë kënde të tyre për njoftimin e popullatës, ndaj edhe shfrytëzojnë çdo vend pa marrë në konsideratë ndikimin që njoftimet kanë në opinion. Kështu shfrytëzohen përgjithësisht objekte e godina shtetërore, të cilat jo vetëm që mbushen me të tilla njoftime, por edhe qëndrojnë aty me muaj të tërë. Nga ana tjetër vihet re se, punonjësit e agjencive interesohen të vendosin njoftimet, ndërsa në asnjë rast nuk i heqin. Vetëm reshjet e shiut janë shpëtim për fasadat në larjen nga kënde të tilla. Të ndëshkuara nga ky fenomen janë përgjithësisht shkollat që kanë mure rrethuese dhe thuajse asnjë shkollë nuk i ka shpëtuar rasteve të tilla.

Prindërit

Të pushtuar nga heshtja nuk janë vetëm drejtorët e shkollave, por edhe komuniteti i prindërve. Këta të fundit nuk kanë marrë ndonjë nismë për të paralajmëruar dhe për të ndërmarrë veprim konkret në shmangien e shfrytëzimit të mureve si kënde njoftimi për të vdekur e përvjetorë vdekjesh. Ndryshe nga raste të tjera, me kënde të tilla syri fëmijëve dhe nxënësve nuk përshtatet asnjëherë. Megjithatë ata janë të detyruar ta pranojnë një realitet të tillë ngase shkolla hesht.

Mjediset shkollore edhe vendgrumbullimi për kazanë plehrash

Një fenomen tjetër është edhe lejimi dhe vendosja e kazanëve të plehrave në afërsi të kopshteve dhe të shkollave të qytetit. Kjo vihet re thuajse në të gjitha lagjet e Durrësit. Duke filluar që nga një kopsht në qendër si ai “1 Qershori ” dhe tek shkollat “Shaqe Mazrreku” në të dyja anët e hyrjes, së të cilës janë vendosur një seri koshash për grumbullim plehrash. Duket sikur shkollat janë vende të konsumit të madh ushqimore e material. Kjo gjendje është edhe në anë dhe pas Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Grumbullimi i gjithë sasisë së këtyre plehrave rrit ndotjen pasi kazanët mbushen gjatë ditës dhe shpesh plehrat derdhen në trotuar nga endacakë të ndryshëm që bëjnë edhe kërkime për kanaçet metalike për shitje. Kjo bën që sipërfaqja ndotëse në afërsi të vendit, ku fëmijët kalojnë rreth 8 orë në ditë të rritet. Nga ana tjetër largimi i kazanëve nga pjesët e brendshme të oborreve të pallateve ka bërë që të shtohen qeset e hedhura me plehra në oborret. Kjo për arsye se në to banojnë shumë pleq të vetmuar dhe distanca e gjatë që u është krijuar me këto përqendrime abuzive që kanë ardhur si rezultat i presionit të bizneseve ose dhe të shkurtimit të rrugëve të marrjes së mbeturinave  që bëhet nga makinat e plehrave. Kjo rrit në mënyrë artificiale ndotjen me shtrirje më të gjerë në lagje dhe nuk duhet harruar se ka impakt në shëndetin e fëmijëve.