Familjet e varfra në Shqipëri shpenzojnë më shumë para për argëtim, sesa për arsim

373
Sigal

Familjet e varfra të klasifikuara në 20 përqindëshin e poshtëm te të ardhurave mujore shpenzojnë shumë më tepër për tu argëtuar, për restorante dhe hotele, sesa për t’u arsimuar.

Arsimi, i cili është mjeti kryesor për të ndryshuar perspektiven e varfërisë për këto familje mbetet më i nënvlerësuar, sipas anketës së INSTAT për strukturën e shpenzimeve mujore në familjet shqiptare më 2019.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, familjet e varfra shpenzojnë vetëm 0.2 % të buxhetit të tyre mujor për arritjet mësimore, në të kundërt shpenzimet për argëtim, restorante dhe hotele marrin 3.2 për qind të buxhetit mujor të tyre. Shpenzimet për këto shërbime shihet të jenë 16 herë më të larta se, ato për arsim.

Më shumë se gjysma e shpenzimeve mujore totale tek ky grup familjesh shkon për blerjen e ushqimeve, të cilave u dedikojnë 53.8 për qind të totalit të shpenzimeve. Konsumi i u ushqimeve tek ky grup është së paku 13 për qind më e lartë se mesatarja e përgjithshme.

Megjithëse buxheti dedikuar ushqimeve po vjen në ulje nga viti në vit ai vijon të jetë i lartë në raport me vendet e rajonit dhe të Europës së zhvilluar.

Pas ushqimeve, banesa kryesisht qiradhënia merr pjesën më të madhe të buxhetit të familjeve të varfra. 17.5 për qind e shpenzimeve mujore shkojnë për banesën kryesisht qira dhe 4.8 për qind të tjera shkojnë për mobilimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë.

Struktura e shpenzimeve në familjet e varfra është e ulët për arsim, shëndetësi dhe veshje. Vetëm 3.3 për qind e shpenzimeve të tyre shkojnë për shëndetin.

Të varfrit shihet se kanë fokus për të shpenzuar më shumë për mallra dhe shërbime që nuk i sigurojnë atyre një zhvillim të qëndrueshëm.

Shpenzimet për mallra të tilla jo të domosdoshëm, të tilla si alkooli, duhani, argëtimi dhe restorantet zënë më shumë peshë se harxhimet që ato bëjnë për tu arsimuar dhe për të mbrojtur shëndetin.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social, që sipas INSTAT, i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër ose thellësisht të privuar materialisht ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim përfshinte 49% të popullsisë në vitin 2018.