Familja u grabit nga ish-dhëndri, burg tre të arrestuarve

374
Sigal

Familja Zaja në Zall Herr u grabitën me dhunë nga ish-dhëndri i tyre. Organizatori i grabitjes ka qenë pikërisht Jani Aruçi. Gjykata Penale e Tiranës vendosi sot ”burg pa afat” për tre të arrestuarit e grabitjes së ndodhur në 30 prill në fshatin Qinam të Zall-Herrit.

Gjyqtarja e çështjes Armela Hasantari dha “arrest me burg” për dy vëllezërit Ndriçim dhe Durim Bami, si dhe organizatorin e grabitjes, Jani Aruçi. Autorët, pasi lidhën kryefamiljarin, nën kërcënimin e armës morën 400 mijë lekë të vjetra. Tre autorët u prezantuan para grabitjes si punonjës policie. Pas ngjarjes policia sekuestroi mjetin e përdorur në ngjarje, si dhe një nga dy armët e përdorura nga autori. Kontrollet u kryen në Zall Herr dhe në fshatrat Grec dhe Tapizë.

Dëshmia e vajzës së çiftit Zeja, hodhi dritë mbi grabitjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku autorët të maskuar si policë arritën të marrin 40 mijë lekë. Sipas saj, babai ka shpëtuar për mrekulli, pasi autorët kishin synim ta vrisnin, por kallashi u bllokua.

“Babin e shtrinë përtokë sa hapi derën, pasi ata kërkuan ta hapnim derën se ishte bërë një denoncim sikur ne kishim qëlluar me armë. Kur kam hapur derën e dhomës e kam parë vëllanë kur e shtrijnë në tokë, e bashkojnë me babin në katin e parë pastaj. Mua më mbajtën në katin e dytë bashkë me djalin. Ishte një person më i gjatë dhe më i dobët ai që më ruante mua. Mua nuk më kanë prekur se isha me djalin. Ata i bënin thirrje babit të tregonte armën, ai i tha të kontrollojnë se nuk kishte armë. Personi që ishte lart i thotë vrite babin, por ai poshtë e kishte pas kallashin të mbushur dhe kur tenton t’i fusë përsëri fishekë i bllokohet”.

Gruaja e shtëpisë, shprehet se ka qenë në gjumë kur grabitësit i mësynë shtëpinë, ndërsa dhe atë e kanë lidhur duke e kërcënuar me armë për dorëzimin e parave. “Isha në gjumë, dëgjova një zhurmë. Na thanë janë policia. Kapën burrin e lidhën, pastaj lidhën edhe djalin. Më kapën edhe mua. Ishin 3 me maska. Bërtisnin se ishin policia. Kanë marrë telefona, lekë sa kanë gjetur. Kanë ushtruar dhunë ndaj burrit, i vunë ngjitëse. Më kanë marrë çdo gjë. Më ka ndodhur edhe një herë tjetër, më kanë marrë një motor. Nuk kam asnjë dyshim se kush mund të jetë”.