“Fallxhorja” turke “Kurum”, me 1.2 milionë ton skrap ka prodhuar 1.5 milionë ton hekur në vit!

813
Kompania turke “Kurum” e cila 23 vite më parë, erdhi në Shqipëri si firmë që do të operonte në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit vetëm me aktivitet për prodhim hekuri, nëpërmjet shkrirjes së metaleve të tjetërsuara në skrap (mbeturinë), tashmë është shtrirë me aktivitet prodhimi energjie elektrike me 4 HEC-e, përpunim hidrokarburesh, lëndë inerte e deri prodhim gëlqereje. Kjo është drejta e saj. Ajo që nuk është e drejtë në aktivitetin e “Kurum” dhe që duhet ndëshkuar urgjent nga shteti shqiptar sipas ligjeve në fuqi, përbën faktin që pas “letrave të rregullta me shtetin” për skrapin që fut në shkrirje dhe sasinë e prodhimit që nxjerr, për rimbursimin e TVSH së skrapit dhe prodhimit të hekurit e çelikut (të lejuara nga shteti), fshihen abuzime dosjesh pneale të rënda, të cilat janë hapur e janë mbyllur shumë herë nga shteti dhe drejtësia, kjo ndoshta ngaqë “Kurum” me marifetet e veta, ka ditur t’i kthej dosjet e drejtësisë dhe faktet e zbuluara prej shtetit shqiptar në “skrap”, duke vijuar e qetë aktivitetin nëpërmjet “letrash” që realisht janë “lëndë e parë” për hetim prej krimit ekonomik. Këtë marifet, po bën “Kurum” me sukses prej 2 muajsh edhe me vendimin që i ka bllokuar aktivitetin për shkak të helmimit të mjedisit dhe për disa “letra të tjera pune”, duke shpërfillur vendimin me vazhdim aktiviteti… natën, kur shteti bën sikur “fle”, paçka se gazeta “Telegraf” dhe banorët e Elbasanit e kanë denoncuar këtë krim jetësor e mjedisor, që “Kurum” po e vazhdon.
“Magjia” e firmës “Kurum”: me 1.2 milionë ton skrap, ka prodhuar 1.5 milion ton hekur
Sipas deklarimit që i bëri një ish-zyrtar finance i “Kurum” gazetës “Telegraf”, abuzimi me sasinë e grumbullimit të skrapit dhe rimbursimin e vjedhur të TVSH së skrapit, është një veprimtari e zezë, që ushtrohet prej 15 vitesh nga kompania “Kurum. Abuzimi është ky: “Kurum” mbledh skrap me fatura false, me fatura të njëjta dhe pa fatura fare. Shteti e di, por e lejon këtë krim ekonomik-financiar! Çfarë ndodh? “Kurum” ka një qendër depozite grumbullim-copëzim skrapi në Durrës, të cilën shteti shqiptar ia shiti “Kurum” duke falimentuar e nxjerr jashtë loje ish-Kantierin Detar të riparimit të anijeve, me koncesionar shtetin shqiptar dhe firmën polake “Gdansk-Durrës sh.a”. Përditë në këtë qendër, madje edhe këto dy muaj që “Kurum” është bllokuar si aktivitet, në Durrës dhe në rrethe të ndryshme si Tirana, Durrësi, Korça, Fieri, Vlora, Shkodra, Gjirokastra etj., ngarkohen automjete me skrap dhe nisen drejt Elbasanit. Normalisht, sipas vendimit të bllokimit nuk duhet të lejohen të çojnë skrap në “Kurum” në Elbasan. Por lejohen nga Policia e Shtetit dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Shfrytëzimit të Mjeteve të Transportit. Policët e shtetit dhe kontrollorët e KSHMT (polic rrugorë), janë përditë 24 orë në hyrje të portës së firmës “Kurum”, kanë në dorë urdhrin për bllokimin e aktivitetit të kësaj kompanie dhe nuk ndalojnë asnjë mjet me skrap që futet në portën e “Kurum”, madje i përshëndesin sa herë që kalojnë postbllokun e dy policive dhe formalisht as nuk u kontrollojnë letrat e llojit të mallit! Po çfarë ndodh me skrapin që futet në “Kurum” dhe me letrat që shoqërojnë transportin e skrapit? Ka fakte, që futen 20 makina me 1 palë letra të njëjta, me letra fiktive, me letra me datë bosh, sic veprohet me biletat e furgonëve të pasagjerëve! Konkretisht, në fshehjen e sasisë reale të skrapit që futet dhe që faturohet në “Kurum”, bëhen dy marifete, që “Kurum” prej 15 vitesh i zbaton dendur, me qetësi e liri të plotë, ndërsa shteti e lejon me heshtje të plotë. Çdo automjet plotëson një fletë shoqërimi malli, me adresën e destinacionit ku e merr skrapin dhe me adresën e destinacionit ku e çon, me peshën e skrapit, me datë, me peshë, por pa orë nisje e mbërritje, pa procesverbal ngarkimi e dorëzimi malli në adresat pikë nisje-pikë pritje! Me këtë letër shoqërimi malli, automjetet bëjnë nga 3-4 ngarkesa skrapi në ditë Durrës-Elbasan, ose nga rrethe të tjera, por pasqyrojnë vetëm 1 ngarkesë malli. Policia e shfrytëzimit nuk kontrollon, madje as policia e shtetit. Këtë marifet e vazhdojnë “esnafët” e besuar të zyrave të firmës “Kurum”, të cilët plotësojnë letra të “reja” për rimbursim të TVSH! Se si “qepen letrat” e firmës “Kurum” për fshehje lënde të parë prodhimi dhe për rimbursim fiktiv me vlerën 20% nga shteti shqiptar me fautra false, për sasi skrapi që nuk i kanë blerë, do flasim konkretisht në numrat në vijim, madje edhe me dëshmi e letra konkrete. “Magjia” e “fallxhores” me emrin “Kurum” kalon edhe përrllat e 1000 e një netëve dhe rezulton kështu: Sipas burimeve nga drejtoria e Tatimeve në Elbasan, rezulton se me 1.2 milionë ton skrap që është furnizuar në 1 vit, ka prodhuar 1.5 milion ton hekur e çelik në vit! Nuk e themi ne, por e thotë vetë “Kurum”, me deklarimin që i ka bërë bilancit të saj prodhues vjetor në tatime, kur jep këto shifra: Prodhim 810 mijë ton hekuri për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 680 mijë ton, prodhim çeliku të lëngshëm. Ndërsa me letra të tjera, ka përfituar 2 herë më tepër rimbursim se vlera e shtuar e mallit që ka përdorur dhe që ka prodhuar e shitur! Kuptohet se sa përqind është raporti i firos së skrapit, përpara se të futet në furrat e shkrirjes dhe gjatë shkrirjes!
“Kurum” që firmosi 26 milion euro fatura fiktive të “bandës” së “TVSH-skrapit”, hiqet nga dosja e krimit!
Burime nga prokuroria konfirmuan për gazetën “Telegraf”, se firma “Kurum” ka shpëtuar nga “furra” e akuzës për krimin zbuluar në 12 dhjetor 2014, bërë me faturat false të firmosura për rimbursimin fiktiv të TVSH për skrapin që përdorte “Kurum”, me vlerë abuzimi 26 milionë euro, për të cilin edhe pse “Kurum” nuk merrte asnjë gram skrap, lëshonte fatura rimbursimi shit-blerjeje skrapi për disa firma grumbullimi e tregtimi me të cilat bashkëpunonte në këtë krim! “Kurum” nuk është më pjesë e hetimit për skandalin e skrapit edhe pse është pjesë e këtij krim! Pse? Sa për konkretizim, “linja” e mashtrimit me TVSH e skrapit funksiononte kështu: subjekte të biznesit të mesëm, sasitë e skrapit i siguronin me blerje nga pika grumbullimi, nga sasitë që siguroheshin prej fitimit të tenderëve të skrapit prej subjekteve që rezultonin të regjistruar në QKR e tatime, si grumbullues e shitës skrapi. Por këto subjekte, ishin të regjistruar fiktivisht, sa për të krijuar mundësinë e sigurimit të blloqeve me fatura tatimore dhe i lëshonin këto fatura po fiktivisht, për efekt rimbursimi fals të 20% TVSH. Blerës fiktivë, pajiseshin me fatura fiktive blerje skrapi me TVSH, por pa shitur e pa blerë… as 1 gram skrap! Dhe TVSH-ja zhvatej rregullisht e zinxhir prej 15 vitesh, nga të gjithë palët e kësaj loje, duke e çuar vjedhjen në 26 milionë euro. Për këtë vjedhje, sipas organit të akuzës, janë proceduar 14 individë dhe 9 subjekte, si dhe 60 individë të tjerë janë ende në proces hetimi. Ne u njohëm me emrat e individëve dhe subjekteve të hetuar e proceduar, por mes tyre nuk gjetëm emrin “KURUM” që duhej të ishte në krye të listës së të akuzuarve të këtij krimi ekonomik-financiar. Tashmë, rezulton se “Kurum”, nuk figuron as në dosjen e “TVSH-skrapit”!
Bllokuar me ligj, por çdo ditë në “Kurum” futet 350 ton skrap
Vendimi për bllokimin e aktivitetit të “Kurum”, nuk po zbatohet nga “Kurum” dhe nuk po detyrohet zbatimi i tij nga shteti. Në datën 10 prill 2015, shteti i vendosi “kyçin” portës së kompanisë “Kurum”, për të mos ushtruar asnjë aktivitet deri në plotësim të detyrimeve mjedisore, me afat datën 20 maj 2015. Kjo kompani nuk i ka përmbushur 4 detyrimet, mes të cilëve edhe pagesën e gjobës në vlerën 10 milionë lekë. Përditë, në portën e “Kurum” futen 15-20 makina ngarkuara me skrap, pa llogaritur qindra kamionçina e karroca, të cilat shkarkojnë skrap në “malet” e skrapit brenda mjediseve të “Kurum”, ku si vend depozite përdoret ana e lumit Shkumbin, që përshkon gjatësinë territorit të firmës “Kurum”. Sipas vendimit të bllokimit, kjo firmë nuk duhet të ushtroj asnjë lloj aktiviteti që ka lidhje me hekurin, madje as grumbullim skrapi. Kujtojmë, që një nga 3 motivet e bllokimit është edhe hedhja e skorjes së skrapit në bregun e lumit Shkumbin dhe shpërndarja e pluhurit të skorjes në mjedis të hapur gjatë përpunimit, me rreze vijë ajrore 20 kilometër. Një fakt: në datën 9 mars 2015, pas kontrollit të ushtruar, rezulton se “Kurum” nxjerr si mbetje skrapi (material kancerogjen) afro 50 mijë tonë skorje skrapi në vit, si dhe shpërndan çdo vit mbi 100 mijë m3 shtëllunga tymrash helmues nga shkrirja e metaleve dhe pluhura me përbërje të oksidit të zinkut e plumbit nga përpunimi i skrapit, pa logaritur afro 600 tonë mbetje plastike në vit, të cilat gjatë shirave rrëmbehen nga rrjedha e lumit Shkumbin e përfundojnë në degëzime lumenjsh të tjerë e deri në det. Saktësojmë, që mali i mbetjeve të skorjeve të skrapit buzë lumit Shkumbin në kufirin me “Kurum” është 230 metër gjerësi dhe 24 metër lartësi, ose sa një pallat me 10 kate!
(Vijon me skandale, abuzime e përfitime të tjera antiligjore të “Kurum”)
——————————-
“Kurum”, blerësi ilegale e dy anijeve të huaja për skrap, nuk preket nga drejtësia
Skandali i datës 28 shtator 2013, kur policia e shtetit bllokoi në portin e Durrësit dy anije të huaja , që kishin hyrë ilegalisht dhe pa asnëj dokument në port, ishin porosi e firmës “Kurum” e cila do të copëtonte për skrap. Gjahu i “Kurum” ishin anija “Tabakosky”, transportuar nga mali i Zi drejt qendrës së skrapit “Kurum” në Durrës, nga rimorkiatori “Aleks 1”. Përveç kësaj, në rrugën drejt sehshit të depozitimit të skrapit të firmës “Kurum”, ishte edhe një anije tjetër e destinuar për skrap, të cilës nuk iu bë i njohur as emri për gjoja “arësye hetimore”. Sipas hetimeve, pronarët e anijeve që kishin arhdur në Durrës si skrap për “kurum”, deklaruan për policinë shqiptare, se i kishin shitur këto anije tek firma “Kurum” dhe sipas pazarit të bërë, një nga kushtet e vendosura nga “Kurum” ndaj shitësve, ishte kjo: t’i sillnin anijet ilegalisht në Durrës, pa asnjë dokument shit-blerje, ose me ltra false, që të mos deklarim blerej për prodhim skrapi! Çuditërisht, “Kurum” që kishte blerë anijet për skrap pa asnjë letër zyrtare tatimore, që kishte prentotuar e paguar ilegalisht rimorkiatorin dhe i priste ato në Durrës pa asnjë dokument, nuk u prek fare nga drejtësia, madje nuk u bë as pjesë e dëshmisë proceduriale pas deklarimit të pronarëve të huaj, që i kishin shitur anijet për skrap!
—————————————————-
Në dosjen e krimit 26 milionë euro me TVSH e skrapit, mungon vetëm emri “Kurum”
1. Agim Xhika
2. Josif Kadriaj
3. Maltin Lleshi
4. Ramiz Veizaj
5. Kadri Rama
6. Avni Hoxha
7. Robert Hoxha
8. Gjergji Lami
9. Ilir Allmeta
10. Flamur Gjinaj
11. Juxhin Zeqaj
12. Përparim Zeqaj
13. Durim Musa
14. Krenar Mukaj
15. “ALEKSI & AJSI” sh.p.k,
16. “AJSI” sh.p.k
17. “ALSIMA” sh.p.k
18. “HOXHA” sh. p. k
19. “XHOIS- GRUP” sh.p.k
20. “PROKAT” sh.p.k
21. “SILEALB” sh.p.k
22. “MUSA” sh. p. k
23. “GOLD PLUS” sh.p.k
Sigal