Evdal Nuri: Politika na ndan, feja na bashkon!

717
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këto ditë kur festuam  Pashkët e  ditët  në prag të Bajramit, më nxitën t’i thërres kujtesës e të hedh në letër, çfarë  raporti ka patur dhe ka feja  me politikën në Shqipëri.  Mesazhi që duhet të japë politika është që qytetarët kudo që janë, pavarësisht nga besimi fetar, të mbështesin vlerat e lirisë  së shprehjes, barazisë mes njerëzve dhe vëllazërimit të çdo individi.

Raporti midis fesë dhe politikës është gjithanshëm.

Ky raport mund të bazohet në themele pozitive, të cilat ndihmojnë në realizimin e mirëqenies dhe lumturisë së njerëzimit në këtë botë, por mund të jetë raport i cili bazohet në atë që, strukturat politike, ta shfrytëzojnë fenë dhe autoritetet fetare për t’i realizuar interesat e tyre, si mjet për t’i kontrolluar popujt, por dhe mund të jetë raport, i cili bazohet në konfrontim. Shembujt janë të shumtë.  Kur raporti midis fesë dhe politikës bazohet në themele pozitive. Feja do ta ndalojë sundimtarin të bëjë padrejtësi, sepse sundimtari do të jetë i vetëdijshëm se ka kufij, të cilët ai nuk guxon t’i kalojë dhe se ekziston një gjykatë para së cilës ai do të japë llogari për veprimet e tij. Nga ana tjetër, shoqëria e vetëdijshme për detyrat dhe obligimet e saj, nuk do t’i kalojë kufijtë. Në këtë situatë, politika nënkupton qeverisjen e shtetit në një mënyrë që është më e mira për shoqërinë.

Imam Gazaliu, për këtë ka thënë: “Feja është themeli, kurse politika është kujdestari i saj. Ajo që nuk ka themel është gërmadhë, kurse ajo që nuk ka kujdestar, është e humbur.”

Politika duhet të ruajë fenë dhe të garantojë që vlerat, etika dhe rregulloret e saj të zbatohen në praktikë dhe që drejtësia të vendoset midis njerëzve, ndërsa padrejtësia, plaçkitja, dhuna dhe diktatura të parandalohen. Feja është themel dhe bazë sipas së cilës qeveris edhe pushteti edhe bashkësia.  Shpesh feja tek ne është përdorur si mjet për të realizuar qëllimet e saj. Feja ka qenë gjithmonë rregullatori kryesor i ndërtimit të karakterit personal dhe personalitetit shpirtëror  të një individi. Respekti dhe dashuria ndaj Zotit ka qenë gjithmonë udhërrëfyes për ata që dëshirojnë ta ndjekin rrugën e tij dhe të shijojnë mëshirën dhe shpërblimin e tij për këtë përkushtim. Ka  dhe  njerëz  që u mungon dashuria  dhe respekti ndaj Zotit, si dhe frika nga ndëshkimi i tij, por  e quajnë veten ‘ateistë’ e  të prirur të bëjnë vepra të këqija  nga  ndëshkimit të të cilit duhet të frikësohem. Këtu nuk përjashtohen edhe interesaxhinjtë  që u interesojnë vetëm interesat momentale, materiale dhe ekonomike dhe s’u bëhet vonë për interesat e të tjerëve. Ka njerëz që në mungesë të rregullave fetare, por edhe shtetërore  janë të prirur që jetën ta bëjnë vetëm për  lumturinë e  tyre, mbi fatkeqësinë e të tjerëve me çdo çmim dhe me çdo kusht.

Diktatura s’është pajtuar asnjëherë  me predikimet fetare.
Ajo kërkonte që vetëm ideologjia e saj të egzistonte. Kjo solli  që në 1967, të ndërmerrej gjoja  “inisiativa” për luftën kundër fesë që solli prishjen e institucineve fetare. Kjo ishte një goditje  rëndë kundër fesë në vendin tonë. Regjimi komunist i Shqipërisë e shpalli fenë të paligjshme dhe zhvilloi një fushatë të gjatë shtypjeje kundër besimtarëve  të krishterë dhe myslimanë, duke burgosur dhe ekzekutuar klerikë e duke përndjekur familjet e tyre, edhe pse  disa vazhduan ta praktikonin besimin e tyre në fshehtësi. Feja u ndalua me ligj, ndërsa u mbyllën institucionet fetare e u disikritituan  klerikët.  Sigurisht që kjo aventurë solli dëme të mëdha, por megjithatë besimi mbeti i gjallë në shpirtrat e njerëzve për t’u rizgjuar me një fuqi të re në vitet paskomuniste. Profesorët tanë të fesë  u burgosën,  u pushkatuan.                                                         .
Dy nga shumë raste. Hafiz Sabri Koçi. Ai nuk  i nënshtrohej një shtypjeje të rëndë nën sundimin komunist. Një fjalim antikomunist që mbajti kleriku mysliman Hafiz Sabri Koçi bëri që ai të burgosej për më shumë se 20 vjet.
At Ernest Simon Troshani, një prift katolik shqiptar. Ka bërë  28 vite burg. Ai kujton periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore,  kur regjimi  nisi një goditje ndaj klerikëve dhe besimtarëve fetarë.


Fetë kanë qenë vazhdimisht në harmoni  me njera- tjetrën.
Në hapjen e Xhamisë Plumbit në Shkodër,  Hafiz Sabri Koçi tha: “Vëllezër myslimanë, katolikë, ortodoksë, mbi të  gjitha, vëllezër Shqiptarë!” Kjo ishte thirrje për bashkëjetesë e harmoni fetare e atdhetare. Ai vazhdoi : “S’ka krim më  të  madh se t’i mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës të të madhit Zot”.

Dom Simon Jubani i dërgoi një letër Hafiz Sabri Koçit ku theksonte: “Kur gjendeshim në burg sëbashku, nuk kemi pas frig me i festue Festat Fetare, biles edhe tuej këmbye vizita te njeri- tjetri për Bajram e Pashkë, nën hundën e atyne që na mbanin në burg për të vetmin krim, se besonim në Zotin dhe reklamonim të drejtat e Njeriut. Me ndihmën e Zotit në vjetin 1990, sëbashku në  Shkodër, hapëm Kishën dhe Xhaminë e parë në Republikë, mbas 30 vjetëve.”                                                                                    

Politika na ka ndarë!                                                                                

Edhe pse  jetojmë në një mjedis shoqëror  të përbashkët, vetëm  për bindje politike  e  vlerësojmë  për keq  njeri-tjetrin ! “Kujdes nga ky se është socialist.  Ose, e njoh unë atë, është demokrat i thekur!” Në diktaturë, s’guxoje të rrije me një të” deklasuar, se të bëhej mbledhje lagje dhe e pësoje. Vitet e para të demokracisë, ndodhi e kundërta, kishe frikë të shëtisje me një ish –komunist. Kjo më ka rastisur mua!  Për bindje politike kemi patur mërira, ndasira, prishje lajmësirash, plagosje dhe vrasje!  Ka dhe nga ata që e dredhin, herë bëhen demokratë dhe herë sosialistë, kjo sipas interesit, apo situatave. Ku duket që feja tek ne vazhdimisht na ka bashkuar ? Më kujtohet kur ishin Pashkët, babai  na  sillte vezë të kuqe, kurse për Bajram na vinin të krishterë për vizita.   Edhe pse me bindje myslimane, unë jam martuar me ortodokse. Kjo ndarje nuk na ka penguar për një harmoni familjare e fetare. Në familjen time festohet Bajrami e Pashka. Gjendet Kur’ani dhe Bibla, mbahet Ramazan e Kreshmë , secili në besimin e tij. Vajza pas një vizite që bëri në Izrael, gruas i pruri një varëse me kryqin, kurse mua një pamje të  Xhamisë  AL-Aksa që gjendet në Jeruzalem e që renditet e treta në Botë pas asaj të Mekës e Medinës. Midis shokëve të mirë që kam, disa janë krishterë si, Prof. Dr. Pandeli Çina, Dr. Llambi Konomi, Alekoja, Virgjili, Rolandi, Dionisi, Pali, e tjerë.

Ne kemi atë që s’ka Bota, harmoninë fetare, por na mugon harmonia politike
Është interesante që festat fetare në Shqipëri, janë kthyer në festat e liderëve politikë. Edhe në këto ditë s’na ndahet politika. Besoj se në  këto ditë, s’kemi nevojë  për propagandë politike. Vetëm kur vijnë personalitete  fetare,  politikanët, të majtë e të djathtë, i gjen pranë njeri-tjetrit. Kjo u pa qartë gjatë vizitës  të Papa Françeskut. Të gjithë u ulën pranë njeri-tjetrit në “Sheshin Nënë  Tereza”. Papa theksoi që rruga e jetës  është  dialogu. Edhe pse ka vite, kjo porosi e tij s’është zbatuar, por është zbatuar gjuha e urretjes  ndaj kundërshtarit politik.  Atëhere  pse politika nuk shfrytëzon harmoninë fetare në dobi të mirëqenies,  harmonisë e  besimit …?  Kjo tregon se  politikanët tanë, s’besojnë shumë në fe, ndryshe do të na kishin bashkuar, e jo ndarë!