Sigal

1-Gjendje e dëshpëruar! S’është rritje, por më pak se indeksimi i çmimeve. Këto ditë mora pensionin. Gjithsej rritja 1000 lekë. Shtesa ime = 1 kg djath, kurse e gruas,4 kafe në muaj!

Një e treta e familjeve shqiptare janë vendosur në vështirësi financiare, për shkak të faturave të shërbimeve publike. Ekonomia shtëpiake është shtrënguar.“Pagova dritat, ujin , telefonin, ilaçet e më mbeten pak. Sa pak do të thoni ju? Jo më tepër se dy javë. Pastaj i zgjat dorën vajzave! Kur u njoha me disa shifra, mendova paska më keq, jo në botë, por dhe në rajon qenkërkemi të fundit. S’e kuptoj pse mburremi? Pse s’paraqitet gjendja si është? Qeveria bën takime për llogari- dhënie, por ç’më duhet? Dëgjohen hallet e popullit, i premtohet ndonjërit pune e me kaq mbyllet gjithçka! Të thuhet troç, jemi keq. Kemi korrupsion, s’kemi punë, e jo, kemi hapur kaq e aq vende pune… Dëgjojmë nga qeveria shifra premtuese! Por na shqetësojnë këto shifra : 34 për qind e familjeve shqiptare kanë vështirësi për të paguar faturat e dritave dhe të ujit dhe kjo gjë është konstatuar nga një vrojtim i financuar nga Komisioni Evropian. Kjo është shifra më e lartë në rajon, me diferencë të ndjeshme nga vendet e tjera.

Pjesa e familjeve që kanë vështirësi për të paguar faturën e ujit dhe të energjisë në Serbi është 21 për qind; në Kosovë është 20 për qind; në Maqedoni, Bosnje dhe Mal të zi shifra e familjeve luhatet nga 14 deri në 16 për qind . Qeveria rriti katër vjet më parë me mbi 20 për qind tarifat e energjisë, ndërkohë që, enti rregullator e shtrenjtoi çmimin e ujit që në fillim të vitit, me mbi 40 për qind. Por përveç rritjes së çmimit në treg, faturat e shërbimeve publike rëndohen edhe nga taksat e shumta. U gëzova kur dëgjova, se pensionet do të rriteshin Por mirë thonë: “Hesapi që bëhet në shtëpi s’del në pazar”.

2-Marrim më shumë, jetojmë më keq!

Niveli i jetës ka të bëjë me inflacionin. Ai ndikon në mënyra të ndryshme te njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Nga inflacioni vuajnë njerëzit që jetojnë me të ardhura fikse, ndërsa çmimet rriten. Kjo çon në rritjen e kostos së jetesës. Për këtë arsye qeveria e ka për detyrë për të mbajtur të pandryshueshëm standardin e jetesës. Të paktën sa është dhe norma e inflacionit. Me fjalë të tjera, një person që merr 20.000 lekë në muaj e inflacioni rritet me 5%, për të ruajtur të njëjtin nivel jetese ai duhet të marrë 21.000. Disa grupe njerëzish, për shembull, ata që jetojnë me pension pleqërie, nuk u rriten të ardhurat e tyre sa të balancojnë efektet e inflacionit. Kur ndodh kështu, standardi i jetesës ulet. Konkretisht tek ne. Pagë nominale, quajmë pagën që marrim me lekë në dorë. Kuptohet sa më shumë të marrim aq më mirë do të jetojmë. Por kjo është relative. Ajo nuk përcakton standardin e jetesës. Edhe pse paga nominale, pra pensionet, pothuajse rriten çdo vit, niveli i jetesës ulet. Arsyeja është se çmimet rriten me një përqindje më të madhe se sa përqindja e rritjes së pensionit. Niveli i jetesës përcaktohet nga paga reale. Paga reale është sasia e të mirave materiale që siguron me pagën nominale. Rritja e çmimeve më tepër se paga nominale ul ndjeshëm standardin e jetesës. Si pasojë, të ardhurat reale ulen. Jetesa bëhet më e vështirë edhe pse ti ke më tepër lekë. Nga rritja e pensioneve te ne përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, nga të cilët 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë pensionistë të fshatit. Rritja me 2.8% është e papërfillshme me rritjen e kostos të jetesës në të gjitha drejtimet.

3-Pensionistët, mbartës të përvojës pozitive

Nuk duhet mohuar fakti që shumë të moshuar kanë një përvoje shumëvjeçare, profesionale e jetësore. Përvojë që u transmetohet të rinjve dhe i bën ata më të nderuar dhe respektuar nga gjithë shoqëria. Shumë të moshuar, edhe pse janë jashtë procesit të punës, luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në këto kushte ata duhen përkrahur, ndihmuar, jo vetëm nga familja, por dhe nga shoqëria e, sidomos, nga shteti. Të majtët duhet ta kenë të qartë se mbi 70% e tyre vazhdimisht ia kanë dhënë votat. Në këtë kushte dhe për vuajtjet në diktaturës, duhen parë më me dashamirësi. Por, ç’është pleqëria? Pleqëria tek ne përputhet me moshën e pensionit. Ajo fillon pas moshës 65 vjeç. Pensioni na kujton se jemi duke u plakur. Humbet interesi për jetën. Është interesant se të moshuarit, kujtojnë ngjarjet e kaluara e harrojnë të tashmet. Bëhen tamahqarë në ushqim e ilaçe. Ajo vjen gradualisht pa e kuptuar e thellohet duke mos e pranuar. I sheh në rrugë të krusur. I sheh në lulishte duke luajtur domino apo letra. Disa i sheh të shtrirë, si mos më keq. I sheh me trasta në dorë, me nipër. I sheh dyerve të spitalit të sëmurë. Keq! Të këputet shpirti! Ndoshta disa i quajnë të tepërt, harraqë, të bezdisur, të rrjedhur, siç kemi dëgjuar lart e poshtë, por kjo s’është e vërtetë. Po kush janë këta harraqë? Është e kuptueshme që pleqëria bën punën e saj, por një i moshuar është mbartës i një përvoje shumëvjeçare profesionale dhe jetësore që u transmetohet të rinjve në forma nga më të ndryshmet dhe që i bën ata më të nderuar e respektuar për gjithë shoqërinë. Në dialektikë funksionon një ligj sipas të cilit, e reja e mohon të vjetrën, por nuk e asgjëson plotësisht. Ajo merr pozitivet e të vjetrës dhe këto i çon përpara. Të nderuar politikanë dhe biznesmenë! Keni hipur mbi shpatullat tona dhe po shihni më, larg ndryshe dhe ju do të kishit mbetur në vend. Ju keni një të drejtë, të na kritikoni dhe, ne për këtë, kërkojmë falje. Për çfarë? Ndoshta dhe ne në moshën tuaj i kemi parë të vjetrit me syrin dhe mendjen që na shihni ju tani, por kohërat kanë ndryshuar. Shoqëria e sotme është më e emancipuar. Humanizmi dhe mundësia ekonomike është në një shkallë më të lartë, prandaj mos na nënvlerësoni, se do t’ju dënojnë brezat e ardhshëm. E di mirë që vendi është në krizë, por kujdesi për pensionistët do t’ju pasurojë më tepër shpirtin tuaj së bashku me shpirtin tonë. Do të vijë një ditë e një kohë që dhe ju do të plakeni. Duke u menduar (pasi do të keni shumë kohë të lirë) do të kujtoni e të penduar do të thoni: “Si nuk i ndihmuam më tepër pensionistët kur mundësitë i kishim?” Por atëherë do të jetë shumë vonë, pasi ne do të jemi të gjithë në botën tjetër. Edhe pse jemi të pakënaqur e të dëshpëruar nga indiferentizmi juaj, ne ju urojmë: “Paçi një pleqëri të mbarë e jo si kjo e jona!”