Eurovision 2023 do të zhvillohet në një nga këto dy vende

117
Sigal

Eurovision Song Contest njoftoi se festivali i vitit të ardhshëm do të zhvillohet ose në Glasgow ose në Liverpool.

Siç ishte paralajmëruar më parë, Mbretëria e Bashkuar do të mirëpresë Eurovision Song Contest në maj 2023 në vend të Ukrainës, për shkak të luftës në vazhdim.

Muajin e kaluar, organizatorët zbuluan shtatë qytetet në listën e ngushtë: Birmingham, Glasgow, Leeds, Liverpool, Manchester, Newcastle dhe Sheffield.

Në një deklaratë, BBC zbuloi se shtatë qytetet kishin “kapacitetin, aftësinë dhe përvojën për një ngjarje të kësaj shkalle dhe kompleksiteti”. Secilit prej qyteteve do t’u kërkohet të plotësojë disa kritere, duke përfshirë një “vend të përshtatshëm dhe hapësirë të mjaftueshme” dhe në “përputhje me prioritetet strategjike të BBC-së si transmetues i shërbimit publik”, midis kërkesave të tjera specifike.

Deri tani gara Liverpool vs Glasgow mbetet e hapur, megjithatë ekspertët mendojnë se Liverpool ka më shumë mundësi të përzgjidhet. Fituesi do të përzgjidhet nga organizatorët e Eurovision dhe BBC.

Në Eurovision 2022, Ukraina, e përfaqësuar nga grupi Kalush Orchestra me këngën “Stefania”, mori 192 pikë nga votimi i jurive të shteteve të ndryshme dhe u rendit pas Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë dhe Spanjës. Mirëpo votat e publikut ndryshuan gjithçka. 439 pikë për Ukrainën bënë që ajo të renditet në vend të parë me një diferencë të dukshme pikësh.

Kënga “Stefania” është një lloj ode për nënën dhe bën bashkë klasiken dhe modernen, ninullat sllave dhe muzikën rap.