“Është bërë Kabul”; zhvendosja e terminalit të autobusëve drejt Kamzës shton ankesat e pasagjerëve

606
Sigal

Grumbullimi i vendndalimit të autobusëve të jugut dhe veriut në një terminal të përkohshëm tek kthesa e Kazmës, i cili nuk ka as ujë as tualete, i ka shtuar ankesat dhe kostot e pasagjerëve dhe të shoferëve që udhëtojnë në linjat interurbane.

Nga Nensi Bogdani – BIRN

Një javë më parë, nëpërmjet një materiali propagandistik të shpërndarë në media dhe rrjete sociale, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paralajmëroi zhvendosjen e stacionit të autobusëve interurbanë të jugut dhe veriut në një terminal të ri të përkohshëm në zonën e kthesës së Kamzës.

“100-vjetori i shpalljes kryeqytet do ta gjejë Tiranën jo vetëm me një unazë të re, por edhe me një terminal të ri,” deklaroi Veliaj në Facebook.

“Me rinisjen e punimeve në zonën e Astirit, kemi zhvendosur terminalin e autobusëve të jugut dhe të veriut te terminali provizor pranë kthesës së Kamzës,” shtoi ai, duke i kërkuar të gjithë qytetarëve “pak bashkëpunim teksa bëjmë transferimin.:

Terminali i ri i autobusëve interurban filloi zyrtarisht punë të dielën, kur Bashkia e Tiranës vendosi të bashkojë në një stacion të vetëm autobusët  dhe furgonat e linjave të veriut dhe të jugut, të cilët më parë ndalonin në terminale të veçanta në zonën e ish-Doganës së Tiranës.

Zhvendosja e terminalit të autobusëve të Tiranës drejt Kamzës ka sjellë pakënaqësi nga pasagjerët dhe punonjësit e linjave interurbane të autobusëve, pakënaqësi e cila vihet re sidomos tek pasagjerët të cilëve u duhet të udhëtojnë çdo ditë drejt kryeqyteti.

“Deri tani e bënim dhe me këmbë rrugën deri tek terminali…ndërsa tani na është dyfishuar edhe koha edhe kosto…është tepër larg për t’u bërë në këmbë, kështu që na duhet të përllogarisim kohën që do mbetemi në trafik nëse marrim urbanin, si edhe lekët që na duhen çdo ditë,” tha një studente, e cila ishte ulur në autobusin e Fushë-Krujës dhe priste për t’u kthyer në shtëpi.

Pasagjerë në Terminalin e ri Interurban ku janë bashkuar linjat e Jugut dhe të Veriut | Foto : Nensi Bogdani

Ata që e bëjnë këtë itinerar çdo ditë të javës shprehen se nuk u leverdis ky ndryshim i lokacionit pasi është tepër larg nga qendra e kryeqytetit, ku kanë dhe shkollën.

Në këtë fillim vitit bashkia e Tiranës ka filluar zbatimin e projektit të Unazës së Madhe, duke boshatisur kështu akset e zonës së Astirit dhe ish-Doganës, ku ishin vendosur më parë terminalet përkatëse të linjave interurbane të jugut dhe të veriut. Terminali i ri do t’iu shërbejë 43 linjave interurbane të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut.

“Tani që kanë bashkuar Jugun me Veriun nuk ka më, është bërë Kabul,”  shprehet me ironi një nga shoferët e linjës së Laçit, i cili heziton të identifikohet me emër, duke shtuar se ky transferim i ka prishur shumë punë.

“Tani që jemi larguar akoma më shumë nga qendra, të gjithë punën na e marrin furgonat e paligjshëm të Zogut të Zi,” tha ai.

“Neve mezi na mbushen furgonat me pasagjerë pasi askush nuk do të humbasi kohë të vijë deri këtu,” shtoi shoferi.

Për të arritur në këtë terminal nëpërmjet linjave të transportit urban duhet afërsisht rreth 25 minuta nga qendra – duke përshirë këtu trafikun e rënduar gjatë ditëve të javës.

Ndryshe nga studentët që udhëtojnë çdo ditë drejt Tiranës, pasagjerët që udhëtojnë me rrallë shprehen se ky ndryshim nuk u ka ndikuar në përditshmërinë e tyre.

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Njerëzit e marrin vesh shpejt lajmin e ri dhe mësohen me çdo ndryshim,” tha Gani Zotaj, i cili udhëton për në Mallakastër tri herë në muaj.

Disa nga shoferët u shprehën se ky terminal është më i përshtatshëm për linjat e Veriut, dhe se nuk është aspak me leverdi për linjën e Durrësit apo ato të Jugut.

“Ndërkohë që udhëtimi deri në Durrës zgjat 40 minuta, neve tani na duhen 30 minuta vetëm për të dalë nga trafiku ku na duhet të marrim kthesën për të dalë nga Kamza, pasi nuk kanë krijuar një dalje direkte për të hyrë në autostradë”, tha një shofer i linjës së Durrësit.

Florjani, fatorino i njërës prej linjave të Durrësit, shpjegon se me intenerarin e ri përmes Kamzës që duhet të ndjekin autobusët për të dalë nga terminali e për t’u futur në autostradë ankesat nga pasagjerët janë shtuar.

“Kemi shumë probleme, është shumë rrëmujë, të gjithë vetëm bërtasin”, tha ai. “Mbi të gjitha kemi probleme me kthesën, tek e cila vonohemi shumë dhe pasagjerët na kërkojnë llogari me orarin dhe pse bëhemi kaq vonë,” shtoi ai.

Përdoruesit kryesorë të terminalit të autobusëve, shoferët shprehen tepër të revoltuar ne lidhje me mungesën e tualeteve dhe të ujit.

“Mirë meshkujt, po femrat çfarë supozohet të bëjnë,” pyet njëri prej tyre.  “Ata sorollaten lartë e poshtë kafeneve dhe bareve për nevojat e tyre personale pasi këtu nuk kanë vendosur as tualet,” shtoi ai.

Duke i paraprirë të gjitha këtyre ankesave, kryebashkiaku i Tiranës, ka kërkuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve në ditët e para të transferimit të terminalit dhe shtoi se puna nuk do të ndalet këtu, por do të ketë dhe një harmonizim të këtij terminali me terminalin e trenit për Rinas apo Durrës.

Pasagjerë në Terminalin e ri Interurban ku janë bashkuar linjat e Jugut dhe të Veriut | Foto : Nensi Bogdani

Pasagjerë në Terminalin e ri Interurban ku janë bashkuar linjat e Jugut dhe të Veriut | Foto : Nensi Bogdani

Por jo të gjithë qytetarët janë mirëkuptues për shkak të vonesave dhe rritjes së kostos që tashmë i duhet për të për tu nisur drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë.

“Për ne që nuk e kemi mundësinë, është shumë keq,” tha një pasagjer që priste për t’u nisur në Sukth.

“Nëse përpara dikush mund të ecte deri tek Dogana për të kursyer, tani na duhet patjetër përditë të marrim urbanin,” përfundoi ai. /Reporter.al/