Ermal Fejzullahu dhe familja e tij dhurojnë 100 mijë euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

522
Sigal

Këngëtari i njohur Ermal Fejzullahu dhe familja e tij kanë bërë një gjest të jashtëzakonshëm humaniteti.

Ata kanë vendosur që të dhurojnë 100 mijë euro për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti vdekjeprurës në Shqipëri.

“Bashkëndjenja e dhimbjes dhe dashurisë janë një! Se zemra e shqiptarit është e madhe dhe bashkëndjenja obligim, shembull është miku im i cili çdo herë i heshtur ishte pranë atyre që kishin nevojë. Të trishtuar nga dhimbja dhe pamundësia për të ndalur këtë trishtim, kemi ndarë 100.000 euro për të ndihmuar të goditurit direkt nga kjo fatkeqësi. Do të ndihmohen rastet më të rënda për të sanuar sado pak dëmet që kanë pësuar”, ka shkruar ai në një postim në Instagram.

Fejzullahu ka thënë po ashtu se ndonëse kanë ndërmarrë iniciativa të tilla edhe më herët një gjë të tillë nuk e kanë bërë asnjëherë publike.

Por, ai ka deklaruar se rasti me tërmetin në Shqipëri është ndryshe pasi është prekur një komb i tërë.

Ai ka kërkuar po ashtu nga të gjithë që të hapin zemrat dhe të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.

“Vëllezër e motra! Asnjëherë në jetën time nuk kam dashur të publikoj ndihmën që kemi bërë kur kemi marrë një iniciativë për të ndihmuar rastet e shumta me nevojë, mirëpo kësaj radhe bëhet fjalë për një komb të tërë. Uroj të solidarizohemi të gjithë të hapim zemrat dhe të ndihmojmë sa kemi mundësi. Zoti e bekoftë popullin shqiptar. I juaji, Ermal Fejzullahu”./Kultplus.com/