Erion Veliaj: Shpall fituesit e Festivalit Letrar për të rinj

531
Sigal

Nëse nuk ndryshojmë dot botën, të paktën mund ta përmirësojmë qytetin tonë, qoftë edhe duke u frymëzuar

Shpallen fituesit e Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020”, Veliaj: “Festivalet si ky, kanë fuqinë të transformojnë qytetin”

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020” shpalli sot fituesit e Edicionit të VI në tre kategori, esse, prozë dhe poezi, ku konkurruan me dhjetra nxënës e studentë të shkollave të kryeqytetit. Juria e festivalit vlerësoi me çmim të parë në Ese – Antea Spahiun, në Prozë – Ersona Duro dhe në Poezi – Sara Hidri. Edhe pse në kohë pandemie, festivali e nisi punën e tij në mars, duke e ndryshuar tërësisht mënyrën e organizimit, pasi gjithçka u krye online. Ai u organizua si çdo vit nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe u mbështet nga Bashkia e Tiranës. Tema e këtij edicioni ishte “Shpirti i një kryeqyteti që ndryshon”, e lidhur ngushtësisht me Tiranën dhe 100-vjetorin e shpalljes Kryeqytet.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se mbështetja për artin dhe kulturën nuk do të mungojë. Ai shprehu kënaqësinë se ky festival po kthehet në një traditë të bukur të Tiranës. “Të bësh art e kulturë është sfidë në kohët ku jetojmë. Por, kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Komercializmi, zelli për t’u dukur, ndoshta i kanë shkurajuar ata që merren me letërsi ose mendojnë të investojnë në art e kulturë. Ama, aleanca që kemi krijuar sot me këtë festival, ka mundësi të transformojë, në mos botën, të paktën këtë qytet. Nëse nuk ndryshojmë dot botën, të paktën mund ta përmirësojmë qytetin tonë, qoftë edhe duke u frymëzuar. Do të kemi shanse të tjera si ky festival dhe mezi pres që bashkia të vazhdojë të jetë partneri shqiptar i këtij konkursi”, tha ai.

Sipas tij, pavarësisht ndonjë minorance që kritikon nga interneti, qyteti ka nevojë edhe për art, kulturë e letërsi. Veliaj shtoi se një vend që investon në kulturë, është edhe më i mirë. “Detyra e një qyteti në rast pandemie apo tërmeti është të ndihmojë ata më në nevojë, por edhe shpirti ka nevojë të ushqehet me ‘bukë’. Sikur ‘buka për shpirtin’, siç është ky konkurs, të ishte në të njëjtat përmasa me ndihmat, besoj se do të ishim një vend edhe më i mirë, me shpirtin edhe zemrën plot”, u shpreh kryebashkiaku.

Irena Toçi, si organizatore, falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtij festivali letrar dhe për kulturën. “Shumë prej tyre iu përgjigjën thirrjes tonë për të eksperimentuar me fjalën e bukur dhe për të ndërtuar ese, poezi e proza të konsiderueshme, të vlerësueshme të cilat sjellin të gjithë ndjeshmërinë e brezit të ri të paktën të kryeqytetit tonë që këtë vit mbushi 100– vjeç. Sot Tirana mbush 100 -vjet kryeqytet dhe të gjithë ju, që do të jeni fitues të këtij edicioni, do të mbani mend që në 100 -vjetorin e Tiranës, morët një çmim të madh që ju veçoi nga moshatarët tuaj në fushën e letërsisë. Falenderoj Bashkinë e Tiranës që na mbështeti për ta realizuar, qoftë edhe në kushte të vështira, këtë edicion të Festivalit Letrar, për të mos ndërprerë mënyrën sesi ai ka funksionuar gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Irena Toçi.

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana Gate-2020” synon të sjellë në vëmendjen e lexuesve shqiptarë krijues të rinj e të talentuar, të cilët do të jenë autorët e së nesërmes, dhe t’i drejtojë ata përmes aktiviteteve të ndryshme për të fituar gjithnjë e më shumë bindje mbi talentin e tyre. Aplikimet u pranuan si në të gjitha edicionet e Festivalit përmes aplikimit në Faqen zyrtare të Festivalit në Facebook. Aplikimet u sistemuan dhe iu dorëzuan jurisë së përbërë nga Arta Marku, Ylljet Aliçka dhe Renato Kalemi, për të përzgjedhur grupet e 6 krijimeve më të mira dhe të fituesve në secilën gjini.

Me ndihmën e trajnerëve Aida Nova, Kristian Koroveshi dhe Klea Mani u zhvilluan përmes platformës Zoom takimet e seminareve rikrijuese, në të cilat konkurrentët u njohën me njëri-tjetrin, patën mundësinë të bisedonin mbi krijimet e tyre mbresat që kishin dashur të përcillnin përmes tyre dhe dëftuan sa kishte ndikuar kjo gjendje e jashtëzakonshme në krijimtarinë e tyre. Në seancën e dytë, pjesëmarrësit morën njohuri se si mund të lexoheshin në mënyrë profesionale krijimet e tyre. Ky lexim u shërbeu për leksionin mëtejshëm, ku ata morën disa njohuri mbi zhvillimin e videove artistike, të cilat do të përmbajnë krijimet e tyre. Çmimet e ndara në këtë ceremoni janë si në vijim:

Vendet e treta

Ese      III        Tea Kodra                   “Në shtëpinë tonë”, shkolla, “Sami Frashëri”

Prozë   III        Xhizel Agolli               “Faqe ditari”, shkolla, “Sami Frashëri”

Poezi   III        Eda Aga                      “Qytet i heshtur”, shkolla “Sandër Prosi”

 

Vendet e dyta

Ese      II         Gresa Lika       “Koktej ‘Tirana’”, shkolla, “Myslym Keta”

Ese      II         Jugerta Cuka   “Shpirti i lodhur i një qyteti ëndërrimtar” shkolla, “M. Keta”

Prozë   II         Jorjona Biraku “Shpirti i një kryeqyteti që ndryshon” shkolla, “Myslym Keta”

Poezi   II         Diego Minxalli            “Vërshim ndjenjash varfanjake”, shkolla, “Sami Frashëri”

 

Vendet e para

Ese      I           Antea Spahiu  “Shtëpia e braktisur në zemër të qytetit” shkolla, “S. Frashëri”

Prozë   I           Ersona Duro    “Gostia”.  shkolla “Myslym Keta”

Poezi   I           Sara Hidri        “Të rritesh me qytetin tënd”, shkolla “New York High School”

 

II

Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt

“ILAÇI I SHQIPËRISË”

Nga IDAJET JAHAJ

 

-ESSE-

 

Sa herë i kemi dëgjuar vargjet për kapedanin e famshëm të Shqipërisë së Jugut – Zenel Gjoleka:
Pse lufton, a dërzi,/Sos për mua a për ti,/Po për gjithë Shqipëri…
Ato janë shkruar në ndërgjegjen tonë si një flamur i madh ideje, që në faqet e librave të shkollës fillore, kur njohëm historinë e popullit tonë. Dhe jemi krenarë për këtë përkushtim, për imazhin e gjithë vendit, në mendje e në zemër. Kësaj strofe të madhërishme, populli i pason edhe me trivargëshin tjetër:
U trete, Gjolekë, u trete,/ Po sos u përpoqe për vete,/ Po për gjithë vilajete…
Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt. Figura e tij është ajo e një kapedani të shkëlqyer, madhor, dhe hijeshon në histori ashtu si një nga majat më të larta të relievit të saj.
Vargjet nënvizojnë çastin historik kur vetëdija e shqiptarëve tashmë vepronte kolektivisht dhe për interesin tërësor të gjithë vendit, kur ajsbergu historik shqiptar po dilte mbi ujë, kur ky titanik përleshej për jetë a vdekje me pushtuesin shekullor turk.
Pra, luftohej jo vetëm për një pjesë të atdheut, por për gjithësinë e tij. Kjo ishte nisma e rilindjes së kombit me armë. Këto luftëra-llavë vullkani u bënë baza ku ngjyen penën për kushtrim Rilindasit më vonë. Kjo ide e përgjithshme u pasua edhe më vonë, në gjeneratat e mëpastajme të luftërave. Ajo gjeti më shumë mishërim te prijësit e trimave që, me luftën dhe fjalën e tyre, jepnin të njëjtin mesazh që jepte kryetrimi Zenel Gjoleka.
Nëpër faqet e historisë së Vlorës ka shumë sentenca të tilla, të cilat, të shprehura në vargje, tek heronj të veçantë, japin tërësinë e unitetit të vetëdijës atdhetare të masave të popullit, të cilat ndërgjegjësoheshin gjithnjë e më shumë për idealin kombëtar.
Në mesin e shekullit të 19-të, në luftërat për mbrojtjen e kufijve jugorë nga shovinizmi i egër grek, shkëlqyen edhe shumë trima vlonjatë, si Mahmud Vlora, Shako Xhaka nga Tërbaçi, Selam Hasani i Velçës, Fejzo Xhafa Vlora, etj. Nën udhëheqjen e tyre luftëtarët shqiptarë u dhanë dërmën hordhive shovene. Ndër ta, Shako Xhaka, shkëlqeu në përpjekjet për unitetin e njësisë – komb:
O Shako Xhakë Tërbaçi,/ I Shqipërisë ilaçi,/ Ilaçi i Shqipërisë,/ I vjen rreth e rreth kufisë…
Ç’vizion madhështor japin këto vargje! Si në përshkrimet folklorike: ashtu si në kopenë e kuajve, rreth së cilës, për ta mbrojtur nga bishat që i vijnë rreth, dalin disa prej më të fortëve, i vijnë rrotull tufës, qëllojnë me shqelme dhe shkrofëtijnë zjarr nga goja, ashtu edhe trimi Shako Xhaka,  “i vjen rreth Shqipërisë” për të mbrojtur nga ujqërit shovenë.
Dhe, me shembullin e tij heroik, ndrit metaforën e rrallë: “ilaçi i Shqipërisë!”.