Erion Veliaj: Raport i ri mes qyteteve shqiptare dhe maqedonase

137
Sigal

Rritje të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Komunës së Strumicës në Maqedoninë e Veriut premtuan sot 2 kryebashkiakët, Veliaj dhe Kostandinov. Kreu i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, u prit nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili nënvizoi se te kryeqyteti shqiptar do ketë gjithmonë një derë të hapur dhe një aleat drejt integrimit evropian. “Një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që jam me kryetarin e Komunës së Strumicës. Shqipëria është një aleat i Maqedonisë së Veriut dhe ne besojmë fort se suksesi juaj është edhe suksesi ynë dhe anasjelltas. Edhe Kryeministri Edi Rama ka qenë një avokat i jashtëzakonshëm që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të shkojnë krah për krah, të ecin bashkë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Ndaj, jam shumë i lumtur që vendosim këtë raport të ri mes Strumicës dhe Tiranës. Te Tirana, te Shqipëria, te kryeministri ynë, te qeveria jonë, te bashkitë tona, do gjeni gjithmonë një aleat,” deklaroi Veliaj. Ai shtoi se historitë e përbashkëta të qyteteve, sidomos me ato të banuara nga shqiptarë, kanë afruar më shumë dy vendet fqinje dhe janë një motiv për të çuar edhe më përpara bashkëpunimin mes tyre.