Enver Bytyçi: Një esse për shkrimtarin e madh, Nderin e Kombit, Zija Çela!

130
Sigal

Sot shkrimtari i madh, Nderi i Kombit tonë, Zija Çela, ka ditëlindjen. Mbërrin te dy shtata! (77) Dhe shtata është shënimi i kulmit të fuqisë, është fat, është pikëtakimi mitologik i shumë akteve madhere të njerëzimit! Eshtë hera e parë që shkruaj për Zija Çelën. Jo se nuk kam dashur. Por e kam parë veten në vështirësi pa fund për të gjetur fjalët e duhura për t’ia shpreh publikut për të. Edhe sot nuk mund t’i gjejë ato fjalë që ai meriton. Ose më saktë nuk mund t’i shpreh, edhe pse mendja ime i përsërit një e nga një e vazhdimisht vlerësimet maksimale për shkrimtarin e ndritur. Edhe pse për Zija Çelën më shumë se sa mendja më flet zemra e shpirti. Kjo ka një arsye: – Kam qenë vetëm 13 vjeç kur e kam njohur atë. Isha nxënës i klasës së shtatë në shkollën dhe konviktin “Skënderbeu” të Krumës në Has. Ai erdhi nga Helshani në Krumë së bashku me të shoqen, zonjush Aliqin. Jo vetëm kaq, por jetuan me ne në konvikt. I kishim të dy këta jo vetëm mësuesit më të mirë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe kujdestarët tanë më të vëmendshëm, më të dashur. Luanim baskeboll e volejboll së bashku. Nganjëherë edhe futboll. Na donte, na përqafonte si të ishim të një familjeje. Aty në konvikt lindi Dritani, djali i “zotni Zijajit”. E mbanim në krahë, luanim me të. Ne ishim adoleshentë, por të përgjegjshëm. Asokohe profesori dhe modeli ynë, Zija Çela, ishte dhe mbeti mësuesi që vuri themelet në dijet tona. Shpesh herë them se, nëse jam ky që jam sot, meritë të jashtëzakonshme ka Zija Çela. Ai nuk na kërkoi kurrë të ishim perfekt. Por na ngjizi perfeksionin në të mësuarit e të nxënit e dijes. Na dha vullnetin e leximit dhe mësimit. Na motivoi si askush tjetër për të sfiduar kohën dhe limitet e vullnetit tonë. Në një vit do të lexonim së paku 100 deri 200 libra të letërsisë për fëmijë. Madje edhe romanet e të rriturve. Zija Çela na bëri që të ishim të parët në rrethin e Kukësit në olimpiadat e letërsisë. Ishte ai që në orën 24.00 të mesnatës na vinte te krevati e na pyeste nëse e kishim krijuar poezinë ose jo, nëse e kishim përfunduar leximin e librit të radhës ose jo! Ishte kërkues, ishte krijues, ishte liberal dhe na krijonte armosferën e një familjeje të përbashkët. Edhe pse ishte mësuesi ynë, nuk kishte ndonnjë diferencë të madhe moshe me ne. Bënte shaka, hidhte batuta e kënaqej edhe nëse dikush prej nesh ia kthente me shpoti! Kurrë nuk u bë nervoz me ne nxënësit e klasës së shtatë e të tetë në vitin tjetër. Kurrë nuk e ngriti zërin. Prandaj asnjëherë nuk bëmë ndonjë truk për të mos zhvilluar orën e mësimit, siç bënim me ndonjë mësues tjetër, duke ia zënë sobës oxhakun dhe mbush klasën me tym. Apo duke fut breshkën në sirtarin e shkumësave! Zija Çela ishte ndryshe, unik, dhe i tillë mbeti edhe si shkrimtar gjatë gjithë jetës së tij. Ndoshta pse ishte shkodran. Ndoshta pse ishte fëmija i shtatë i dy prindërve punëtorë. Ndoshta se vetë ai i kishte kaluar vështirësitë e jetës njësoj si ne. Ndoshta për të gjitha këto së bashku! Por ai vetë u realizua dhe u plotësua në jetë më mirë se gjithkush tjetër, sepse gjeti fuqinë, motivin e jetës dhe u ngrit me guxim kundër të keqes. Të tilla i ka dhe veprat e tij letrare e krijuese. Në Has dhe në Kukës shkroi katër vepra, deri te “Një verë pa lamtumirë”, e cila desh e murosi me një lamtumirë të hidhur, si ajo që prodhonte diktatura! Në Helshan, Krumë dhe Kukës ndenji një dekadë, së bashku me mësuese Aliqin dhe Dritanin e vogël. Punoi si gazetar. Në udhën e gazetarisë më futi Zija Çela. Thonë se asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë botë. Kjo do të thotë se jam krenar që mësuesi e modeli im i pakontestueshëm as sot pas 50 e ca vitesh ishte shkrimtari i madh, emri i shquar i letërsisë shqipe, Zija Çela. Nuk doja kësaj radhe të shkruaja për krijimtarinë e shkrimtarit. Thjesht dua të vë në dukje se ai na dha ne lexuesve, 31 vepra letrare me tregime, novela e shumica dërmuese prej tyre, romane. Na dha kumtin e krijimtarisë. Sepse në veprën e tij nuk gjen ujë të burimeve të ndryshme, ideologjike, politike apo perverse. Eshtë krijimtaria e një shkrimtari të përgjegjshëm për ndikimin e tij në publikun shqiptar. Eshtë semantika që lidh botën shpirtërore të njeriut me nevojën e formimit kulturor të kombit. Për mua Zija Çela është shkrimtari më origjinal i tri dekadave të fundit të shekullit XX dhe dekadave të fillimit të këtij shekulli. Ta lexosh Zija Çelën ndjehesh në fund si pas një terapie psiko-analitike me Frojdin ose Jungun. Ta lexosh Zija Çelën mëson se si përjetohen kategoritë e ndjenjës njerëzore, gëzimi e hidhërimi, malli, dashuria dhe humanizmi. Veprat letrare e artistike të krijimtarisë së shkrimtarit të shquar, Zija Çela, janë kodikë e kode të shoqërisë shqiptare. Asnjë shkrimtar nuk ka mundur ta kopjojë stilin e të shkruarit në detaje të Zija Çelës. Ai është dhe mbetet unik. Unik në krijimtari, unik në paraqitjen e tij para publikut! Unik për mesazhet që jep! Unik në urtësinë dhe mençurinë e tij! Aq sa kur del në ekranet e televizioneve, nuk ka njeri që nuk mbërthehet para tij, sikur sheh një ndeshje futbolli të finales së botërorit! Në këtë kuptim Zija Çela duhet të na shërbejë si modeli i ndërtimit të shoqërisë sonë. Modelin e tij e kemi te 31 veprat krijuese të tij. Por edhe te prezenca e Nderit të Kombit ndër ne. Prandaj Zija Çela do të ketë një jetë të gjatë, shumë të gjatë. Ditëlindja e tij është edhe ditëlindja jonë! Rrofsh mjeshtër, sa vetë kjo botë! Jemi me fat që jetojmë në kohën tënde! Faleminderit Zotit që të fali ty!