‘Enkeleda ruaju’/ Porosia e burrit dhe dinamika e krimit në Paskuqan

498
Sigal

Detaje të reja janë zbardhur nga krimi tronditës në Paskuqan, ku kunati Eredet Çapoku vrau me sende të forta kunatën e tij, Enkeleda Çapoku.

Deri dy vite më parë, viktima dhe autori i krimit jetonin në një shtëpi, por për shkak të konflikteve që kishin lindur, ata ishin ndarë dhe jetonin me qira, afër njëri-tjetrit. Gruaja jetonte me vajzën e saj 18-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg, i dënuar me 10 vite për drogë.

Kunati e përndiqte Enkeledën, duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën, dhe duke i bërë fotografi në çdo moment. Më pas, fotot ia dërgonte vëllait të tij në burg, duke rritur kështu konfliktin mes familjes.

Për këtë arsye, gruaja e kishte denoncuar kunatin, duke marrë urdhër-mbrojtje në Komisariatin e Kamzës. Kjo kishte shtuar edhe më shumë përplasjet, duke bërë që ai mbrëmë të futet në banesën e saj, duke shkelmuar derën, dhe duke vrarë Enkeledën në sy të vajzës dhe nënës së saj.

Nëna e Enkeleda Çapokut, e cila ka qenë e pranishme në momentet e krimit të rëndë, që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ka rrëfyer momentet e vrasjes së vajzës së saj, nga kunati Eredet Çapoku.

Ajo ka treguar  se raportet jo të mira që kishte Enkeleda me kunatin i dinte edhe burri i saj, vëllai i autori, i cili tani ndodhet në burg.

Porosia e tij për bashkëshorten ka qenë: “Enkeleda ruaju se nuk kam çfarë t’ju bëj që këtu”.

Këtë e ka treguar nëna e viktimës sot, duke treguar me lot në sy se si vajza u masakrua nga kunati me sende të forta.