Enkel Demi publikon poezinë e Havzi Nelës: Për ata që ndjehen jetimë

433
Sigal

Për ata që sot ndjehen jetimë.

Po, o nanë, po… – Poezi nga Havzi Nela

Po, o nanë, po,
N’emën të ligjit jam arrestue,
E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!
Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,
Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!
Ndoshta e ndjeu veten fajtor,
Pse erdhi e më mori përsëri!
Ndoshta i gjori ishte lodhë,
Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.
Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,
Sa djem nanash kështu po i merr!
Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”
Emni i tij ka futun tmerr!
Ti mos u druej, o Nana ime,
Sido të bahet jam pa faj,
Qëndro malsore, mbahu trime,
Mos e mbyll jetën me vaj!
Djali yt s’ka me t’turpnue,
Gjinin tand s’do ta tradhtojë,
Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,
Po prehnin tand do ta kërkojë.
Ka me dasht me t’pasun pranë,
Ta vështrosh, ta ledhatosh,
E nji fjalë t’ambël me ia thanë,
Plagët zemrës t’ia shërosh!
Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,
Ti me mue s’je kënaqun kurrë.
N’merak e mall ke qenë përherë,
Qysh i vogël dhe sot burrë!
Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,
Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë ;
M’shkule nga prehni prej vorfnie,
Vetë jam rritun derë më derë!
Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë ;
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o Nana ime, kurrë!