Enigma e vdekjes së 4 rusëve në Qerret/ Të gjitha pikëpyetjet për ngjarjen e rëndë

80
Sigal

Grupi hetimor ka shumë pikëpyetje mbi shkakun që ka sjellë vdekjen e 4 shtetasve rusë në një pishinë me ujë të ngrohtë, në hotel “Gloria” në Qerret të Kavajës, mbrëmjen e së Premtes.

Çifti i bashkëshorteve, Natalia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç si dhe vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe e bashkëshorti i saj, Nikita Belousov, 37 vjeç, u gjendën të pajetë nga stafi i hotelit, rreth orës 21.30 të datës 15 Tetor.

Është njoftuar menjëherë policia, e cila, nën drejtimin e drejtuesit të lartë të Policisë, Tonin Vocaj dhe përfaqësuesve të prokurorisë, kanë kqyrur vendin e ngjarjes.

Ajo që kanë parë, u është dukur më së paku e habitshme. Vajza, Ekaterina, gjendej e shtrirë në shezlongun e pishinës së mbyllur.

Ndërsa bashkëshorti i saj, gjendej me telefon në dorë, në një pozicion që nuk krijon asnjë lloj dyshimi se përse mund të ketë ardhur asfiksimi e më tej vdekja.

Dyshimet e para janë se ata janë asfiksuar. Por, edhe kjo tezë është e paqartë për grupin hetimor.

Sipas disa prej tyre, në rast lënde asfiksuese, më së paku të rinjtë do të kishin pasur mundësinë e reagimit dhe lëvizjes nga pozicionet fillestare.

Por, siç u konstatua, ata kishin qenë të gjithë “të lirshëm” dhe nuk janë konstatuar pozicione paniku, në momentin që janë gjetur pa jetë.

Ngjarja ka ndodhur në një hapësirë të madhe, ku gjendet pishina dimërore (me ujë të ngrohtë) dhe në krah të saj është palestra për ushtrime fizike.

LEXO EDHE  Lajmi i fundit/ Gjenden 4 persona të vdekur në një hotel në Qerret

Grupi hetimor ka qëndruar për disa orë në ambjentin, ku u gjetën trupat dhe, paraprakisht, nuk konstatuan mungesë ajrimi apo aspirimi.

Megjithatë, Policia Gjyqësore ka hartuar urdhërat për kryerjen e ekspertimit të ajrit dhe cilësisë së ujit, për të konstatuar ndonjë element problematikë në to.

Nga të dhënat e siguruara deri më tani, turistët rusë, të cilët kishin ardhur në Qerret një javë më parë, të premten kishin kryer një udhëtim turistik në Ohër të Maqedonisë.

Ata ishin nisur në mëngjes, kishin ndaluar paraprakisht në një lokal në Librazhd për mëngjes dhe më tej kishin drekuar në Ohër.

Pasdite vonë janë kthyer në hotel dhe kishin porositur të bëhej gati SPA (pishina me ngrohje), ndërkohë që, siç shprehen nga stafi i hotelit, nuk kanë konsumuar darkë.

Familja e turistëve ka zbritur në pishinë rreth orës 8.30 të mbrëmjes. Rreth 15 minuta më pas, një pjesëtar i stafit të hotelit ka komunikuar me ta, duke i pyetur nëse kishin nevojë për pije ose ushqim.

Ata nuk kanë pranuar, duke i kërkuar me mirësjellje stafit që të kishin “privaci”.

Rreth orës 9.30 të mbrëmjes, stafi ka shkuar sërish tek turistët rusë, për t’i njoftuar se kishte ardhur ora për mbylljen e ambjenteve argëtuese.

Në atë moment, është konstatuar se ata ishin pa jetë. Tashmë pritet që ekspertizat, përfshirë ato të ujit, ajrit, por edhe toksikologjike, të ndihmojnë grupin hetimor për të përcaktuar shkakun e vdekjes tragjike të 4 turistëve.