Dy persona përfunduan në prangat e Policisë së Fierit, pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike të llojit heroinë.
Operacioni i koduar “Corner” arrestoi shtetasit, Artan Mërtiri, 45 vjeç, banues në Celigradë, Fier dhe Ervis Tika 32 vjeç, banues në Grecalli.
Policia tha se gjatë operacionit u sekuestruan lëndë heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje dhe një shumë parash, me vlerë rreth 2.6 milionë lekë të rinj, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Të arrestuarit, Policia i konsideron bashkëpunëtorë të veprimtarisë kriminale, ndërsa është proceduar penalisht edhe një person i tretë.
“Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike heroinë, në qytetin e Fierit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Seksionin Operacional në DVP Fier, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Corner’, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: -A. M., 45 vjeç, banues në Celigradë, Fier dhe E. T., 32 vjeç, banues në Grecalli, Fier. Këta shtetas janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen ‘15 Tetori’, Fier, duke i shitur lëndë të dyshuar narkotike heroinë, shtetasit A. H., 24 vjeç, banues në Fier, i cili u procedua penalisht në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasve A. M. dhe E. T., si dhe gjatë kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, paketime (kuti shkrepësesh) që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, një shumë e konsiderueshme parash të valutave të ndryshme, me vlerë rreth 2.600.000 lekë të rinj, 10 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike”, sqaroi Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.