Emigrantët shqiptarë mes dy zjarreve: Në Shqipëri pagesë për 14 ditë karantinë, në Greqi gjobë 1200 euro

550
Sigal

Nga Vepror Hasani

Dhe hallet e emigrantëve shqiptarë nuk kanë të sosur: në shtetin grek nuk qëndrojnë dot për aq kohë sa do të dëshironin sepse një pjesë e tyre janë punëtorë sezonalë dhe nuk mund të punojnë më shumë se 90 ditë, pjesa tjetër është e pajisur me pasaporta biometrike por aktualisht u ka përfunduar afati; nëse vijnë në Shqipëri u duhet të përballen me vonesa, me pritje në doganë, me kontrolle shëndetësore,  me shoërim nga uniformat blu dhe se fundi me karantinimin për 14 ditë në një nga hotelet e Korçës ose të Pogradecit; dhe nëse tentojnë të qëndrojnë në Greqi u duhet të penalizohen me 1200 euro për shkak të afateve të përfunduara të pasaportës. Për të gjithë këto arsye, pas një pauze prej disa ditësh, emigrantët shqiptarë nisën sërish udhëtimet drejt Shqipërisë,  por ndërsa në doganën greke të Kapshticës trajtohen si qytetarë europianë, në doganën shqiptare, përballen me vonesa të pajustifikuara; kjo gjë pohohet, madje me shumë trishtim nga vetë emigrantët shqiptarë.

Emigrantët sezonalë nuk janë të pasur

Për të gjithë emigrantët shqiptarë që vijnë nga Greqia, mendohet se kanë me vete shuma të mëdha eurosh të mbledhura e të kursyera nga puna e kryer në shtetin grek, por kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse ata janë punëtorë sezonalë, punojnë vetëm tre muaj dhe jo të gjitha ditët e muajit i kanë punë; të ardhurat që sigurojnë gjatë kësaj kohe nuk janë të mjaftueshme më shumë se 6 muaj, por rrugë tjetër nuk kanë. Për emigrantët shqiptarë, Greqia është shpresa e vetme për të mbajtur familjen me bukë, sepse punësimi në Shqipëri vijon të mbetet një dëshirë e parealizuar. “Kemi një mijë halle, – tha një grua, – kam bashkëshortin të sëmurë, fëmijët duan libra dhe fletore, duan të vishen dhe të ushqehen, çmimet janë të shtrenja; të gjitha këto nuk mund t’i përballojmë dot me tre muaj pune në Greqi. Tashmë pa mbërritur mirë në Doganën e Kapshticës, na thanë do të karantinoheni në një nga hotelet e Korçës, do të paguani nga 12 mijë në ditë (euro apo lekë nuk na i sqaruan); e gjitha kjo që po ndodh me emigrantët është tejet e padrejtë, sepse nëse qeveria do të dëshironte të na vinte në ndihmë, atëherë me të hyrë në tokën tonë duhej të na niste drejt qyteteve tona pa asnjë vonesë…”.

Mirënjohja jonë…

“…Dhe nëse qeveria jonë do të na siguronte udhëtimin, (sigurisht shpenzimet e rrugës do t’i paguanim vetë me shumë kënaqësi), do t’i ishim shumë mirënjohës. Edhe karantinimin pranë familjes për 14 ditë do ta kryenim me shumë korrektësi sepse bëhet fjalë për ruajtjen e shëndetit të fëmijëve tanë, por duket se nuk është menduar për të mirën e emigrantëve, por për të mirën e pronarëve të hoteleve. Karantinimi me detyrim, larg familjes, është zgjidhja më e keqe. Nëse ishte menduar të mos shkonim në familje, atëherë do të ishte e arsyeshme të na strehonin në objekte pronë të bashkive, ku strehimi të bëhej falas ndërsa ushqimin ta paguanim vetë, sepse në këtë kohë varfëria sapo ka nisur, edhe më e vështirë duket do të jetë në vijim. Ata që kanë mundësi financiare shkojnë vetë në hotel, atje ku është më mirë, por edhe në këtë rast nuk është menduar në të mirë të emigrantëve, sepse mendohet që fitimet tona 90-ditore janë sikur kthehemi nga parajsa”.

Pamundësia për të qëndruar në Greqi

Pamundësia për të qëndruar në shtetin grek, i detyroi sërish emigrantët shqiptarë të vijnë në atdhe. Mbrëmjen e së martës mbërritën 25 emigrantë, burra, gra dhe fëmijë. Ndërkaq nga autoritet shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës u është kërkuar nënshkrimi i një marrëveshje ku të bëhet e ditur se shpenzimet e karantinimit (akomodim dhe ushqim) do të mbulohen nga vetë emigrantët: 1.200 leke në ditë ose 35.000 lekë për 14 ditë. Mëngjesin e së mërkurës përfunduan karantinimin edhe 13 emigrantë tjerë. Aktualisht, në hotelet e qytetit të Korçës  dhe të  Pogradecit gjenden të akomoduar gjithsej 203 persona, nga të cilët 128 në Korçë dhe 75 në Pogradec.