Emergjencat e zjarreve, në gjithë vendin janë 12 vatra

526
Një zjarr masiv u shfaq pasditen e së martës edhe në kurorën e gjelbërt mbi fshatin Goricë në Dropull.
Zjarrvënia, që dyshohet se ishte e qëllimshme, rrezikoi seriozisht disa banesa, madje dhe kishën e Shën e Premtes.
At Joani, prift i kishës, tha: “Lavdi Zotit, nuk pati dëmtime kisha”. 
Në një situatë të tillë, forcat zjarrfikëse u bëjnë apel barinjve që të tregohen të kujdesshëm.
Kujtim Bizhga, i shërbimit zjarrfikës Gjirokastër, shprehet: “U bëj thirrje që edhe bishtin e cigares kur ta hedhin në tokë, ta shuajnë mirë”.
Ndërkohë, pyjet në Dibër vazhdojnë të digjen nga flakët. Një tjetër vatër zjarri u riaktivizua në Klos, duke rrezikuar dy banesa të braktisura, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 40 forca ushtarake dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri. Më herët, një vatër e madhe zjarri shkatërroi një sipërfaqe të madhe me pemë të larta në zonën e Bulqizës. Aty, bashkë me zjarrfikësit, edhe banorët punuan për të mbajtur nën kontroll flakët.
Ndërsa në fshatin Mavrovë të Selenicës flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. 
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin u shënuan 12 vatra zjarri, ndërsa në operacionet për shuarjen e flakëve u angazhuan 115 zjarrfikës me 13 automjete, 50 forca ushtarake, 79 vullnetarë si dhe helikopterë.
Sigal