Elbasani si “teqe” elektorale

635
Nga Esmeralda PIRRA
Ja emrat kryesorë të politikës që pritet të kandidojnë, LSI sipas sondazheve pritet të fitojë jo më pak se 4 deputetë në 18 qershor
Pavarësisht se klima politike sa vjen dhe nxehet, sa vjen dhe bëhet më e pakuptueshme dhe me të papritura që mund ta shoqërojnë atë në ditët që vijnë, duket se partitë kryesore parlamentare, duke nisur nga PS, PD, LSI, PDIU apo edhe PAA, PR, AAK, Libra etj, kanë vendosur që në Elbasan të kandidojnë ndër emrat kryesorë të tyre. Burime të sigurta nga selitë e këtyre partive, i thanë “Telegraf” se “Elbasani pritet të jetë pas Tiranës, qarku “mikpritës” i emrave të spikatur të mjaft prej forcave politike, pritet të jetë qarku nga ku do të ujdisen dhe do të prishen mjaft balanca politike dhe elektorale, pasi pritet të kandidojnë nga Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj dhe Klevis Xhoxhi nga PS, duke spostuar Tauland Ballën në vendin e tretë, të cilit Rama i ka kërkuar në mënyrë ultimative “të marrësh patjetër 6 deputetë në Elbasan ndryshe je i larguar”. Po ashtu në edhe PDIU, nëse do jetë në koalicion me PS , mundet të marrë një mandat, por nëse do të dalë e vetme shanset për të marrë qoftë edhe një deputet në shkallë qarku janë të vaktë. Por edhe Kreshnik Spahiu nga AAK, kurse Libra e Blushit pritet të kandidojë një emër të njohur nga fusha akademike. Gjithashtu në listën e kandidatëve të rinj, emri i Evis Kushit rezulton të jetë i pesti në listën e PS, kurse PAA e Agron Dukës pritet të kandidojë pedagogun e Fizkulturës Edmond Biçokun”. Përballje e fortë pritet të jetë edhe në bastionin e LSI në Cërrik, ku kjo parti pritet të kandidojë atje Monika Kryemadhin, e cila duket se ka shanse të mëdha për fitoren e saj, falë investimeve dhe premtimeve të mbajtura . Gramshi , mbetet një tjetër pikë e fortë e LSI së Ilir Metës, ndërkohë që periudha e krizës politike e ka forcuar së tepërmi pozitat e kësaj partie. Qyteti I Elbasanit,Librazhdi,Përrenjasi janë super bastione ku LSI,falë mbështetjes për këto zona por edhe faktit që ka Bashkinë e Përrenjasit do marrë rezultate shumë të larta. Në shkallë qarku LSI në Elbasan pritet të marrë 4-5 deputetë, duke qenë një sfidante e fuqishme e këtyre zgjedhjeve dhe faktor i rëndësishëm në koalicionin e ri qeverisës. Vihet re postimi i Musa Ulqinit nga lista e re e 18 qershorit apo dhe i Namik Dokles dhe i Valentina Leskaj dhe afrimi i emrave të rinj, por i veçantë mbetet fakti, se votat e PS pritet të rrjedhin drejt PDIU-së. LSI është partia e vetme, e cila vazhdon të ruajë hegjemoninë e saj në mjaft zona pikante të qarkut të Elbasanit. Kështu e fortë ajo paraqitet në Cërrik, Gramsh, në zonat rurale të Elbasanit si Belshi, Gjinari, Labinoti Fushë dhe Mal, Papri e Bishqemi, ku ndihmesa ndaj fermerëve nga Ministria e Bujqësisë ka pasur efektet e veta. Por ajo që e dallon prag-fushatën e 18 qershorit, mbetet frika e largimit të disa partive të dikurshme nga Rilindja e për rrjedhojë mund të prodhohen rezultate të papritur dhe të pritshëm negativ, edhe në zonat ku deri në 2013 ato ishin bastionet e saj. Kjo për shkak të qeverisjes së keqe lokale, përfoljes së disa deputetëve, premtimeve të pambajtura, rritjes së taksave, rritjes së varfërisë, rritjes së çmimeve në treg të produkteve ushqimore dhe ilaçeve, rritjes së kriminalitetit, rritjes së nivelit të korrupsionit, mbulimin e fushave dhe maleve me hashash dhe falimentimit nga ky biznes i paligjshëm, falimentimin e bizneseve të mesme, duke krijuar një klimë absolute mosbesimi tek qeverisja qendrore. Në Elbasan, fushata e 18 qershorit pritet të jetë ndër më të ashprat e 26 viteve të fundit, ku priten përplasje të forta mes forcave politike, rivalëve politikë, dhe pse jo edhe mes “të fortëve” që do të ndjekin hap pas hapi ata në takimet e tyre elektorale. Këto zgjedhje pritet të jenë gjithashtu edhe të shtrenjtat nga pikëpamja financiare, dhe kjo duket tek parapërgatitjet e forcave kryesore politike,(kryesisht të Rilindjes PS-PDIU) që nisin me prenotimin e qirave të shtrenjta të zyrave, sallave, automjeteve të panumërta që do të jenë në shërbim të fushatës, duket tek preventivat paraprake që kapin vlerën e milionave. Elbasani pritet të jetë “teqeja” elektorale, nga e cila pritet të vendoset fati i koalicionit të ardhshëm qeverisës, pasi ndryshe nga qarqet e tjera, atje qoftë edhe një mandat i vetëm deputeti, vlen shumë për të kapur numrat e nevojshëm të kartonëve në Parlament. Elbasani në këto zgjedhje (të paktën për të majtën dhe aleatët e saj) mbetet fortesa nga e cila do të vendoset vazhdimi apo largimi i Rilindjes nga qeverisja e vendit, dhe këtë natyrisht edhe kësaj here do ta vendosë sërish fuqia dhe mbështetja nga LSI, e cila duhet pranuar se ka qenë më afër halleve të përditshme në qendër dhe zonat rurale .
Sigal