Elbasan/ Policia tha se u aksidentua, babai i 27-vjeçarit: Djalin ma vranë, e kanë sakatuar

541
Sigal

Mëngjesin e sotëm një 27-vjeçar u gjet i plagosur anës rrugës në aksin rrugor Elbasan-Peqin dhe gjatë rrugës në spital ndërroi jetë. Babai i të riut, Rexhep Veliraj, thotë se të birin ekanë vrarë dhe nuk është aksident ashtu sikurse ka njoftuar policia.

“E pashë, ishte i çarë nga fytyra. Nuk mund të jetë aksident, e kanë vrarë, mund të shikoni edhe kamerat. E kishin sakatuar keq fare. Kishte dëmtime gjithandej, i ishin thyer nofullat, gjymtyrët, kockat.”, tha Veliraj në një prononcim.

Ai tha gjithashtu se i biri nuk kishte asnjë konflikt.

 “Ngjarja ka ndodhur në orën 20:00 të mbrëmjes. Kërkoj drejtësi nga shteti, pse e kanë vrarë, cilat kanë qenë metodat që e kanë vrarë”.

Policia raportoi mëngjesin e sotëm se një 27-vjeçar me inicialet S.V është gjetur i aksidentuar në anë të rrugës. Po ashtu thuhej se dyshohej se i riu ishte përplasur nga një mjet motoçikletë, që ishte larguar me shpejtësi nga vendngjarja, pa i dhënë ndihmën e parë viktimës, që ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

 “Në aksin rrugor Elbasan- Peqin, në fshatin Pajovë , në anë të rrugës  është gjetur i aksidentuar shtetasi S.V., 27 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Nga hetime paraprake dyshohet se personi është goditur nga një motoçiklet e cila më pas është larguar nga vendngjarja. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të  ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.”, thuhej në njoftimin e policisë.