Elbasan, largohen nga Tatimet brenda një dite, 35 punonjës

839
Sigal

Urdhri nga DPTT: Largoni çdo të punësuar pas vitit 2005!

Brenda 24 orëve, dega e Tatim-Taksave në Elbasan ka larguar nga zyrat e këtij institucioni 35 persona, policë tatimorë, inspektorë, drejtues e shefa sektori, duke mos u lënë atyre mundësinë e ankimimit. Ky “operacion” u shoqërua edhe me marrjen në punë të 35 personave të tjerë, duke mos lënë bosh asnjë vend pune. Sipas një burimi nga kjo degë për “Telegraf” mësohet se, “5 ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur një shkresë përcjellëse drejt degës së Tatimeve Elbasan, ku i përgjigjej një shkrese të nisur me propozimet për largime se: “Largoni çdo të punësuar pas vitit 2005, duke e cilësuar si të paaftë dhe të pamotivuar profesionalisht, vendet bosh të plotësohen sipas listës së propozuar nga ju”. Punonjësit e larguar, të trajnuar në vite nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, janë shprehur të indinjuar lidhur me arbitraritetin e këtij urdhri dhe veprimet e drejtuesit të degës dhe kërkuan sqarime dhe motivime zyrtare. Shkresa që shkarkonte dhe largonte ata nga puna ishte më shumë se e zakonshme dhe nuk jepte detaje për asnjërin prej tyre. Ajo që ka ngjarë prej 6 muajsh me institucionet e tjera duket se nuk do të vononte edhe për degën e Tatimeve në Elbasan. Mësohet se, dega e Tatimeve Elbasan ka dërguar një shkresë zyrtare në DPÇ, ku e informonte lidhur me problematikat e gjetura nga paraardhësit që kanë drejtuar  këtë institucion, si dhe mangësitë lidhur me punësimet që janë kryer në 8 vitet e qeverisjes nga PD. Duke pretenduar se, “nuk janë zbatuar kriteret profesionale dhe konjukturat në pranimet e reja, janë  bërë  shkelje  ligjore  dhe administrative në  drejtimin dhe menaxhimin e sektorëve dhe drejtorive vartëse, ku nuk kanë munguar edhe abuzimet, që janë reflektuar në realizimin e të ardhurave”- dega e Tatimeve në Elbasan ka marrë “OK” nga DPÇ për të nisur reformimin e këtij institucioni në radhët e administratës. Personat e larguar janë shprehur për “Telegraf” se “do t’i drejtohemi Gjykatës Administrative, e cila besojmë se do të na japë të drejtën ligjore për t’u rikthyer në detyrë, kurse lidhur me pranimet e reja, janë demagogji ato që thuhen se, po bëhen konkurse apo testime”. Bazuar mbi një VKM “Për të mos kryer asnjë punësim të ri në administratë deri në një kohë të pacaktuar”,  institucionet e shtetit në qarkun e Elbasanit, pra edhe në 5 rrethet e tij, si në Librazhd, Peqin, Gramsh, Cërrik, e Përrenjas, po largojnë nga vendet e punës çdo ditë dhjetëra persona, duke i zëvendësuar ata me “të rinj” nga listat e hartuara nga selitë rozë. Kjo padyshim ka rritur numrin e atyre që po u drejtohen gjykatave dhe kryesisht asaj Administrative, për të kërkuar ligjërisht të drejtën që po u mohojnë drejtuesit e rinj, të emëruar edhe ata pa konkurs e testim. Padyshim marrja e një vendimi pozitiv nga Gjykata Administrative do të thotë kosto financiare për arkën e shtetit, pasi deri tani të gjithë të larguarit kanë fituar të drejtën e pagesës dhe rikthimit në punë. Pra shteti detyrohet të mbajë me para edhe të larguarit edhe të punësuarit e rinj, duke i futur  institucionet në krizë financiare e duke akumuluar borxhe të reja.