Elbasan, invalidët katër muaj pa marrë KEMP-in

609
Sigal

Sekretari i shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, Engjëll Zotaj: “Të mbahen premtimet ose ndryshe fillojmë protestat!”

Janë rreth 200 para dhe tetraplegjikë në Qarkun e Elbasanit që nuk kanë marrë pensionin e invaliditetit që prej 4 muajsh. Problematike paraqitet situata në Komunat e qytetit të Peqinit dhe ato të Elbasanit por pa anashkaluar dhe disa prej komunave të Librazhdit. Sekretari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, Engjëll Zotaj në një prononcim dhënë për gazetën “Telegraf”, tha se shpresat i ka te Qeveria “Rama”. “Shpresojmë nga qeveria e re që do të mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale. Për këtë kategori njerëzish u thanë plotë fjalë të bukura se ndihmesa do të shkonte deri aty sa një pjesë e invalidëve do të punësohej, por deri tani asgjë nuk është bërë. Kategoria jonë ka mjaft probleme dhe për këtë arsye jemi lënë pas dore nga qeveria që iku”, tha sekretari i kësaj shoqate. Zotaj theksoi se, jetesa për personat me aftësi të kufizuar është mjaft e vështirë pasi kjo kategori me këto të ardhura mbahet, madje me to blen edhe ilaçet dhe mosmarrja e pagesës mujore është problematike, pasi u vështirëson jetesën. Ai pohoi se shkak për këtë vonesë është mungesa e fondeve, që realisht ka kohë që mungojnë dhe për këtë arsye i është bërë kërkesë e vazhdueshme institucioneve përkatëse për zgjidhjen e këtij problemi, por deri tani nuk është marrë asnjë masë. “Ne u bëjmë thirrje institucioneve edhe një herë që kjo kërkesë e jona të merret parasysh, ndryshe ne do të hidhemi në protestë, sepse KEMP-i është e vetmja e ardhur për të gjithë ne”, thotë Zotaj.

Punësimi

I pyetur për çështjen e punësimit Zotaj shprehet se, vetëm një person me aftësi të kufizuar është i punësuar në Bashkinë e Elbasanit dhe në njësitë e tjera të qeverisjes vendore nuk ka asnjë të punësuar nga kjo kategori. Ndërkohë që këto institucione nuk po e zbatojnë ligjin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara ashtu sikurse u është premtuar. Ndaj ne i lutemi qeverisë së re që sapo ka ardhur që të mbajë këtë premtim që na ka dhënë gjatë fushatës, se do të punësojnë nga çdo familje një person me aftësi të kufizuar, thotë Zotaj, i cili shtonë se të matjeve kjo kategori u ka dhamë votën dhe për këtë arsye ata duan që të mbahet premtimi. Një shqetësim tjetër që ngre sekretari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve është moskualifikimi i personave me aftësi të kufizuara, pasi nuk ka projekte që të përfshijnë këtë aspekt.