Sigal

ELBASAN- Dasmorët e tre dasmave të zhvilluara në të njëjtin lokal në qytetin e Elbasanit, kanë përfunduar në spital me dhimbje të forta stomaku. Mësohet se gjatë mbrëmjes së djeshme, 31 persona, mes tyre dy fëmijë, i janë drejtuar spitalit të Elbasanit, pasi kishin pësuar helmim.

Tre nga personat e helmuar, të cilët kanë shfaqur edhe komplikacione më të mëdha, janë dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Nëndrejtori i Spitalit të Elbasanit, Luan Rapi thotë se tetë persona kanë marrë mjekim ambulator pak pas mesnate. Sakaq, ai shton se tashmë pacientët paraqiten në gjendje më të mirë shëndetësore.

“Nuk ka pasur më fluks pacientësh. Nga mesdita pacientët mund të dalin nga spitali”, thotë Rapi.

Ende nuk dihet shkaku nga se ka ardhur helmimi, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.