Ekzekutimi i Naim Bajrit/ Policia jep detajet: I plagosuri jashtë rrezikut për jetën, autorët dogjën automjetin! RENEA niset drejt Shkodrës

182
Sigal

Policia ka dhënë detajet në lidhje me vrasjen me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Merkata e Rusit” në Shkodër, ku u ekzekutua Naim Bajri.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër i cili ka qenë duke pirë kafe me viktimën, Astrit Zeneli, 58 vjeç, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se pak pas ngjarjen në lagjen “Guerrile” në Shkodër është gjetur një automjet i djegur që dyshohet të jetë i autorëve.

Aktualisht Policia vendore dhe FNSH Shkodër kanë ngritur grupe kontrolli ndërkohë që në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur edhe grupe të RENEA-s.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.