Ekstradohet nga Italia skafisti i tragjedisë së 9 Janarit në Otranto/ Si i shpëtoi policisë për 10 vjet

635
Ekstradohet në Shqipëri një nga skafistët e tragjedisë së së 9 janarit në Otranto, Elton Tafili, i dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Vlorës. Mësohet se Tafili ka mbërritur në Tiranë me një avion që u nis nga Roma për të vuajtur dënimin në burg.
Sipas “Milano Today” 38-vjeçari u arrestua në prill të vitit të kaluar në qytetin e Milanos, pasi ishte dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia shqiptare për trafik të qenieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin. Ndonëse ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar, Tafili ka mundur t’i fshihet për 10 vjet Interpolit, duke u pajisur me dokumente të falsifikuara greke, deri kur më 13 prill të vitit të kaluar policia italiane e kapi në Milano gjatë një kontrolli rutinë.
Gjykata e Vlorës në vitin 2006, e akuzoi Elton Tafilin si një nga skafistët që drejtonin gomonen me 39 persona që më 9 janar të vitit 2004 u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos, ndërsa udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë.
Nga kjo tragjedi mundën të shpëtojnë vetëm 11 persona, 6 prej të cilëve ishin skafistë e mes tyre dhe Elton Tafili. 28 persona mbetën të mbytur e 7 prej tyre nuk iu gjetën trupat kurrë. Procesi gjyqësor vërtetoi se çdo person kishte paguar 1500 euro për të udhëtuar me skaf drejt Italisë, e se kjo tragjedi mund të evitohej.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datën 10.02.2017, u krye ekstradimi nga Milano/Itali drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, Elton TAFILI, 43 vjeç, në Vlorë. Shtetasi TAFILI është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.13 datë 24.01.2005, ndryshuar pjesërisht me Vendimin nr.461 datë 27.12.2005 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i lënë në fuqi me Vendimin nr.536, datë 22.07.2007, duke vendosur përfundimisht dënimin me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijëve”, parashikuar nga neni 298/3, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 09.01.2004, shtetasi në kërkim TAFILI së bashku me shtetasit A RR., A.A, V. R, A. B dhe H. T, në afërsi të Gadishullit të Karaburunit, kanë organizuar trafikimin drejt Italisë, të disa shtetasve
shqiptarë (63 persona). Këto shtetas kishin paguar nga 1500 Euro për person, shtetasve të lartpërmendur, për të shkuar në Itali në mënyrë të jashtëligjshme.
Ndërsa gomonia ka dalë në ujrat territorialë të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të Italisë, ajo është përmbytur duke shkaktuar vdekjen e 21 shtetasve. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Sigal