Eksportet mbahen nga tekstilet dhe energjia, mbyllja e fabrikave ul shitjet e metaleve

122
Sigal

Rritja e eksporteve ka vijuar të jetë e ngadalësuar edhe në nëntor për të disatin muaj radhazi, teksa sektori po vuan pasojat e krizës globale dhe kostove të larta të energjisë si dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit nga dy sipërmarrje të mëdha, Kurum dhe Albchrome.

Në nëntor eksportet u rritën me 12.9% me bazë vjetore, sipas INSTAT, (nga 12.5% në tetor). Në shtator shifra ishte 16.3% dhe në muajt e parë të vitit zgjerimi mujor ishte rreth 50%.

Peshën kryesore në rritjen e eksporteve në nëntor vijuan ta mbanin tekstilet e këpucët, ndërsa për të tretin muaj ishin me tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve, që deri tani kishin qenë një nga nxitësit kryesorë të eksporteve.

Në nëntor u përshpejtua rritja e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, e ndikuar nga moti i favorshëm me reshje, që ka nxitur shitjen e energjisë jashtë vendit.

Sipas INSTAT, në Nëntor 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 12,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 10,2%, në krahasim me Tetor 2022.

Në këtë njëmbëdhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 447 mld lekë, duke u rritur me 32,6%, nga 35% që kishte qenë zgjerimi për 10 mujorin.

Sipas INSTAT, Gjatë muajit Nëntor 2022, në rritjen e eksporteve prej 12,9%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +6,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +5,5 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,7 pikë përqindje.

Për 11 mujorin, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +9,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,7 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,5 pikë përqindje.

Fasoni, me ecuri pozitive 

Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore.

Sipas INSTAT, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 28% të totalit, u rritën me 19% për 11 mujorin. Aktorët e tregut pohojnë se eksportet më tepër janë rritur në vlerë sesa në sasi, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.

Për 11 mujorin, shitjet e tekstile e këpucë janë rritur me 21.4%.

Materialet e ndërtimit dhe metale, bien pasi Kurum ndërpreu prodhimin nga energjia e shtrenjtë 

Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë shënuar rënie për të tretin muaj radhazi, duke u tkurrur me 19.3 në nëntor, nga 13.2% që ishte reduktimi në tetor.

Në gusht, Kurum International, një ndër eksportuesit më të mëdhenj njoftoi mbylljen e përkohshme të fabrikës së prodhimit të çelikut për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Kompania vijoi eksportet edhe në gusht, pasi kishte stok, ndërsa efekti u ndie në shtator e tetor. Kompania vijon aktualisht me tregtimin e produkteve të saj.

Për 11 mujorin, ky grup është rritur me 35%, si rrjedhojë e çmimeve të larta që i kanë nxitur eksportet në vlerë në pjesën e parë të vitit.

Përshpejtohet grupi i lëndëve djegëse e energjisë 

“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” përshpejtuar sërish ritmet e rritjes në nëntor, duke u zgjeruar me 51% në nëntor, nga 13.6% në tetor.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se rritja e eksporteve të tij ka ardhur si rrjedhojë e çmimit më të lartë, ndërsa në sasi pothuajse nuk kanë ndryshuar.

Një nga eksportuesit më të mëdhenj të mineraleve Albchrome pothuajse ka ndalur aktivitetin në shtator. Kompania zotëron 4 furra prodhimi në uzinat në Elbasan dhe Burrel ku vetëm njëra prej tyre vijon punën.

Hov këtij grupi i kanë dhënë eksportet e energjisë, si rrjedhojë e motit të favorshëm me reshje, që ka detyruar KESH të shesë tepricën e energjisë në bursat jashtë vendit.

Për 11 mujorin shitjet e këtij grupi u rritën me 51%, duke qenë deri tani kontribuuesi kryesor në zgjerimin e eksporteve ë vend për periudhën janar-nëntor.

Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë 

Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 14.8% për 11 mujorin, nga 20% në 5-mujor.

Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera. Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.

Makineritë e pajisjet në rritje të fortë 

Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke qenë grupi i tretë me kontributin më të lartë në zgjerimin e eksporteve, në nëntor, pas tekstileve e këpucëve dhe lëndëve djegëse e energjisë.

Ky grup u rrit me 37% për 11 mujorin. Sektori është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet. Përfaqësues e kompanive pohojnë se ata po përfitojnë nga zhvendosja e tregjeve të prodhimit pas luftës në Ukrainë, që ka rritur kërkesën për fabrikat shqiptare.

Ulet deficiti në nëntor, thellohet për 11 mujorin 

Sipas INSTAT, në Nëntor 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 12,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 10,2%, në krahasim me Tetor 2022.

Importet e mallrave arritën vlerën 77 mld lekë, duke u ulur me -3,9%, në krahasim me një vit më parë dhe me -7,1%, në krahasim me Tetor 2022. Deficiti tregtar i këtij muaji është 35 mld lekë, duke u ulur me -18,5%, krahasuar me Nëntor 2021 dhe me -21,8%, në krahasim me Tetor 2022.

Në këtë njëmbëdhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 447 mld lekë, duke u rritur me 32,6%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 856 mld lekë, duke u rritur me 20,1%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 409 mld lekë, duke u rritur me 8,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Rritej eksportet drejt Italisë e Spanjës, bien drejt Kosovës 

Sipas INSTAT, në muajin Nëntor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Nëntor 2021 janë: Itali (11,1%), Spanja (74,1%) dhe Maqedoni (68,3%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (9,3%) ,Greqia (4,0%) dhe Kina (26,6%).

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Itali (38,6%), Gjermani (67,6%) dhe Greqia (18,5%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (1,1%) dhe Spanja (6,2%).

Në muajin Nëntor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe, janë: Turqia (14,8%), Kina (13,4%) dhe Gjermania (5,6%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me Nëntor 2021 janë: Italia (5,2%), Greqia (24,9%) dhe Maqedonia (24,3%).

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (7,4%), Turqia (36,9%) dhe Greqia (22,4%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (11,2%), Rusia (20,9%) dhe Zvicra (34,0%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,3%, të gjithë tregtisë. Në Nëntor 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,7% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,4%), Turqia (9,3%), Kina (5,9%) dhe Greqia (5,7%).

Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59,8% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Nëntor 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,0% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,3% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,5%), Turqia (8,5%), Greqia (7,0%) dhe Gjermania (6,4%)./ MONITOR

Eksportet mbahen nga tekstilet dhe energjia, mbyllja e fabrikave ul shitjet e

Eksportet mbahen nga tekstilet dhe energjia, mbyllja e fabrikave ul shitjet e

Eksportet mbahen nga tekstilet dhe energjia, mbyllja e fabrikave ul shitjet e

Eksportet mbahen nga tekstilet dhe energjia, mbyllja e fabrikave ul shitjet e