Eksperti sqaron procedurat: Si përfitohen letrat italiane

44

Më poshtë eksperti i emigracionit i përgjigjet pyetjeve më të shpeshta që shqiptarët kanë rreth punësimit dhe jetesës në Itali.

 


Në cilët sektorë ekonomikë do të mund të legalizohen të huajt sipas sanatores së fundit që përfshihet në Dekretin Rinisja?

Në nenin 103 të Dekretit shkruhet shprehimisht që sektorët ekonomikë, punonjësit e të cilëve do të mund të përfitojnë nga ky legalizim i punës dhe i qëndrimit janë:
• bujqësia, mbarështrimi, blegtoria, peshkimi e akuakultura dhe veprimtaritë e lidhura me to. Për “veprimtaritë e lidhura me to” priten shpallja e dekreteve zbatuese për të kuptuar se çfarë do të përfshijnë;
• asistencë për persona me sëmundje ose aftësi të kufizuara;
• puna shtëpiake.

Bëhet fjalë për dy sanatore?
Pak a shumë, po. Dekreti Rinisja në nenin 103 parashikon dy kanale të ndryshme legalizimesh.
Njëri kanal mund të ndiqet nga punëdhënësit që mund të kërkojnë legalizimin e marrëdhënies së punës me shtetas italianë e të huaj. Në rast se i huaji është pa dokument qëndrimi në territorin italian, ai do të përfitojë përveç kontratës së punës edhe një leje qëndrimi për punë me kohëzgjatje që varet nga kontrata e punësimit. Kjo mundësi është vetëm për të huajt që ndodhen në Italia të paktën nga data 8 mars 2020.
Kanali i dytë është ai që mund të përdoret drejtpërdrejt nga i huaji me qëndrim të parregullt në Itali, i cili mund t’’i kërkojë kuestorit një lejeqëndrim të përkohshëm për kërkim pune. Me kusht që të ketë pasur dokument qëndrimi deri më datë 31 tetor 2019, të ketë punuar në një nga tre sektorët në të cilët zbatohet sanatoria e të rezultojë i pranishëm në Itali më 8 mars 2020. Këtyre do t’u lëshohet një lejeqëndrim i përkohshëm për 6 muaj, brenda të cilëve duhet të kërkojnë e të gjejnë një punë në një prej tre sektorëve të sipërpërmendur për ta kovertuar më pas në lejeqëndrim për punë.

Të gjithë punëdhënësit mund të kërkojnë legalizimin e marrëdhënieve të parregullta të punës?
Jo. Teksti i Dekretit (neni 103, paragrafi 1) parashikon që do të mund të përdorin kanalin e parë të legalizimit vetëm punëdhënësit:
italianë;
• qytetarë të një shteti anëtarë të BE-së;
• shtetas jokomunitarë me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë.

Sanatoria është vetëm për ata që kanë leje qëndrimi të skaduar apo për të gjithë ata që nuk kanë një dokument qëndrimi?
• Skadenca e lejeqëndrimit pas 31 tetorit 2019 kërkohet vetëm në rastin e përdorimit të kanalit të dytë, pra kur është i huaji që kërkon drejtpërdrejt një leje qëndrimi.
Ndërsa punëdhënësi mund të legalizojë edhe të huaj që nuk kanë pasur ndonjëherë një dokument qëndrimi në Itali, mjaft që të provohet që punonjësit kanë qenë në territorin italian e nuk janë larguar që nga data 8 mars 2020.

Çfarë nënkuptohet me leje qëndrimi të skaduar? Vlen edhe kur kam kërkuar përtëritjen por jam akoma në pritje të lejeqëndrimit të ri?
Norma flet qartë në këtë pikë për lejeqëndrim i skaduar i papërtërirë e i pakonvertuar. Kush ka kërkuar konvertimin apo përtëritjen duhet të presë përfundimin e procedurës së nisur e nuk mund të përfitojë nga ky dekret.

Si mund të tregohet prania në Itali nga data 8 mars 2020?
Prania në Itali prej asaj date mund të dëshmohet:
• me shenjat e gishtërinjve (nëse keni pasur më parë një lejeqëndrim apo nëse jeni ndaluar rastësisht nga forcat e rendi e i jeni nënshtruar marrjes së shenjave të gishtërinjve);
• me vulën e hyrjes në territorin italian në pasaportë (kur keni ardhur, për shembull, drejtpërdrejt nga Shqipëria)apo përmes “deklaratës së pranisë” që bëhet në kuesturë brenda 8 ditëve nga hyrja në Itali (kur në Itali keni hyrë nga një vend tjetër i BE-së);
• me çfarëdo dokumenti me datë të lëshuar nga zyra shtetërore (reparti i Ndihmës së shpejtë i një spitali apo një dokument shkolle, kur i huaji ka bij të mitur).

Për të kërkuar lejeqëndrimin e përkohshëm, deri kur duhet të kem punuar në një prej 3 sektorëve të kërkuar?
Teksti i dekretit nuk parashikon asnjë kufi kohor, kështu që i huaji mund të ketë punuar në një prej sektorëve në fjalë edhe shumë kohë para skadencës së lejeqëndrimit të fundit. Kjo do të thotë që nuk është e thënë që leja e qëndrimit e skaduar të jetë e lidhur me punën në ato sektorë.

E si tregohet që ke punuar në sektorët për të cilët flet dekreti?
Për të sqaruar mirë këtë pikë duhet pritur një dekret ministrie që të thotë për shembull si do të tregohet që ke punuar në ato sektorë nëse marrëdhënia e punës ka qenë në të zezë. Sepse nëse puna ka qenë e rregullt, me siguri do të mjaftojë kontrata, apo dokumenti i rrogës (busta-paga) për ta treguar.

Në fund të gjashtë muajve të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit të përkohshëm, i huaji duhet të ketë patjetër kontratë punë në tre sektorët e lartpërmendur?
Teksti i normativës nuk e specifikon. Thotë vetëm që gjatë gjashtë muajve të lejes së qëndrimit i huaji duhet të ketë punuar në një prej tre sektorëve por para skadimit të lejeqëndrimit mund të ketë lidhur një kontratë të re pune (me të cilën të kërkojë konvertimin e dokumentit që ka në lejeqëndrim për motive pune) edhe në ndonjë sektor tjetër të ekonomisë.

Nëse marrëdhënia e punës ndërpritet, i huaji humbet edhe lejen e qëndrimit?
Humbja e vendit të punës nuk sjell humbjen e lejes së qëndrimit. I huaji mund të regjistrohet në listat e të papunëve e të kërkojë një të re. kjo vlen edhe për të punësuarit sezonalë.

Çfarë ndodh nga çasti i paraqitjes së kërkesës deri në përfundim të procedurës së legalizimit?
Gjatë këtij harku kohor:

• i huaji nuk mund dëbohet, me përjashtim të rastit kur kryen krime të tilla që do të sillnin hedhjen poshtë të kërkesës së legalizimit;
• i huaji mund të punojë. Në rastin kur legalizimi bëhet përmes kanalit të parë (me fjalë të tjera, e kërkon punëdhënësi), i huaji mund të punojë vetëm për kë ka paraqitur kërkesën;
• pezullohen të gjitha ndjekjet penale dhe administrative: në ngarkim të punëdhënësit, ato lidhur me punësimin në të zezë të punonjësve për të cilët po kërkon legalizimin; në ngarkim të punonjësit, ndjekjet lidhur me hyrjen dhe qëndrimin e parregullt në Itali.

Deri kur pezullohen ndjekjet penale dhe administrative?
Mbeten pezull deri në përmbylljen e procedurës së legalizimit. E në rast se kërkesa e legalizimit hidhet poshtë, ndjekjet penale e/apo administrative rinisin.Shqiptari i Italisë