Eksperti Nonda Buxhuku/ Nuk ka rritje reale të pensioneve, sigurimet shoqërore janë në krizë. Eurostat: Shqiptarët me pagat më të ulta

261
Sigal

Që nga dita kur u bë publik programi i qeverisë Rama 3, ku ndër të tjera, bëhej fjalë për rritjen e pensioneve, ka filluar të bëhet një propagandë e madhe sa në shtypin e përditshëm aq edhe në deklaratat televizive, si kurrë ndonjëherë.

Do të rriten pensionet çdo vit mbi 5%.

Në katër vitet e qeverisjes, pensionet do të rriten mbi 20%, thuhet. Nuk mungon dhe rasti ku në media jepet rritja edhe me shifra. Kështu, pensioni minimal në qytet, nga 14449 lekë do të bëhet 15171 lekë dhe ai maksimal nga 28898 do të bëhët 30342 lekë dhe kështu vazhdon edhe për pensionet në fshat, për pensionin social etj, të gjitha me rritje 5%.

Tani le të vijmë te bonusi në fund të vitit. Së pari, bëhët propagandë sikur ky bonus do të jepet për herë të parë dhe se do të jetë i vazhdueshëm cdo vit. Në fakt bonusi modest që ka variuar nga 2000 deri në 5000 lekë, është bërë traditë dhe është dhënë qoftë nga qeverisja socialiste edhe nga ajo demokratike

Dhe, të gjitha këto rritje do të vijnë nga indeksimi dhe bonusi në fund të çdo viti. Po a sjellin rritje reale qoftë indeksimi ashtu dhe bonusi në fund të çdo viti? Përgjigjja ime si ekonomist për kolegët e mi pensionistë, është e prerë. Nuk sjellin asnjë rritje reale të pensionve. Pra, edhe në mandatin e tretë qeveria socialiste nuk parashikon rritje pensionesh. Edhe këto katër vite që vijnë do të vazhdohet si në dy mandatet që kaluan. Pra, do të këtë vetëm indeksim dhe një bonus në fund të vitit. Pra e ritheksoj se nuk do të ketë rritje reale të pensioneve. Le ta sqarojmë këtë. Në fakt, indeksimi, që bëhet çdo vit, dhe që është parashikuar në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, mbulon vetëm ngritjen e çmimeve të mallrave të konsumit(shportës) dhe ngritjen e tarifave të shërbimeve të vitit të kaluar. Pra nuk sjell rritje reale të pensioneve. Shtesa në lekë që i bëhet çdo pensioni me indeksimin rrit pensionin nominal, por jo atë real. Rritje reale e pensioneve do të kishim në rast se rritja parashikohet më e lartë se indeksimi.

Le ta sqarojmë me një shembull.

Marrim një pension pleqërie prej 20000 lekë në muaj. Indeksimin me 2% ndërsa rritjen e pensioneve me 5%. Atëhere: Rritja totale është 1000 lekë( 20000x 5%= 1000). Zbresim tani indeksimin prej 400 lekësh(20000x 2%=400) dhe kemi rritje reale të pensionit për 600 lekë(1000-400=600). Pra, vetëm në këtë rast kemi rritje reale të pensionit.

Tani le të vijmë te bonusi në fund të vitit. Së pari, bëhët propagandë sikur ky bonus do të jepet për herë të parë dhe se do të jetë i vazhdueshëm cdo vit. Në fakt bonusi modest që ka variuar nga 2000 deri në 5000 lekë, është bërë traditë dhe është dhënë qoftë nga qeverisja socialiste edhe nga ajo demokratike. Ky shpërblim modest ka ndihmuar disi familjet me pension të ulët gjatë ndërrimit të viteve, ndërsa për ata që kanë pensione të larta as që ndihet. Prandaj edhe kam mendimin që personave me pensione të larta t’u hiqet ky shpërblim dhe t’u jepet më shumë atyre me pensione më të ulta. Ky shpërblim modest që jepet nuk mund të quhet rritje pensioni. Kjo është një lloj ndihme që jepet në fund të vitit dhe nuk reflektohet te pensioni i muajit janar të vitit të ardhshëm. Pensionisti do të marrë në muajin janar të vitit të ardhshëm, aq sa ka marrë edhe në muajit dhjetor të muajit të kaluar.

Tani lind me të drejtë një pyetje: Pse nuk rriten realisht pensionet?

Përgjigja është e thjeshtë. Pensionet nuk rriten se buxheti i sigurimeve shoqërore është deficitar. Që do të thotë se të ardhurat nga kontributet, nuk mbulojnë shpenzimet në tërësi të sigurimeve shoqërore. Një pjesë e mirë e këtyre shpenzimeve mbulohen nga buxheti i shtetit. Edhe reforma e pensioneve, që me aq bujë u propagandua, nuk po sjell ndonjë ndryshim. Reforma u përqëndrua kryesisht në rritjen e moshës për pension dhe vjetërsisë në punë të siguruar. Pra, që të dy këta faktorë në kurriz të pensionistëve. Rritja e moshës u bë që punonjësit, kur dalin në pension të përfitojnë si pensionistë disa vite më pak. Ndërsa rritja e vjetërsisë në punë deri 40 vjet, u bë që pensioni të dalë më i vogël. Po kush e ka të siguruar vazhdimësinë e punës në kushtet e ekonomisë sonë të tregut për të punuar 40 vjet. Për shumë arsye qoftë në sektorin privat, që është dominues ashtu edhe në administratën publike, puna në vazhdimësi nuk është e siguruar. Dhe kur bëhen shkurtime, largime etj, është shumë e vështirë sigurimi i një vendi të ri pune. Kjo veçanërisht për persona me moshe më të madhe të cilët e kanë më të vështirë gjetjen e një vendi të ri pune. Vetëm në sistemin e arsimit edhe të shëndetësisë mundësitë janë më të mëdha për të siguruar punën në vazhdimësi. Theksojmë këtu se sektori privat është në kërkim të punëmarrësve me moshë të re dhe rrjedhimisht vështirëson më shumë ata që ngelen pa punë në një moshë të madhe. Në këto kushte plotësimi i 40 viteve punë të siguruar vështirësohet dhe kjo ndikon negativisht në masën e pensionit.

Si të dalim nga situata ?

Për të dalë nga kjo situatë duhen bërë studime të thelluara duke u mbështetur kryesisht në dy faktorë kryesorë. Së pari, në rritjen e pagave që të shtohen kontributet. Ne kemi pagat më të ulta në Europë duke përfshirë dhe rajonin. Rritja e pagave shton konsumin, nxit edhe shtimin e prodhimit. Së dyti duhet të shtohen kontributet nga rrija e punësimit. Duhet zhvilluar ekonomia me rritje më të shpejta sidomos në ato degë apo sektorë që sigurojnë vende pune. Në sistemin e kaluar punonin 4 veta për 1 pensionist dhe me kontribute në masë më të ulët se sot, ndërsa për 1 pensionist tani punojnë 1.2 punonjës. Sot, çdo vit në vendin tonë vijnë 30 deri në 40 mijë forca të reja pune. Këtyre u duhen siguruar fronte pune dhe jo të largohen jashtë vendit siç po ndodh. Jemi në situatën kur më shumë punonjës dalin në pension se sa hyjnë rishtaz në punë. Pra për të dalë nga kjo situatë e ritheksoj se duhen bërë studime të thelluara, me masa konkrete për t’u realizuar detyrat qoftë në krijimin e kushteve për rritjen e pagave ashtu edhe për krijimin e vendeve të reja të punës.