Ekskluzive me Ilia Terpini/ Si e filmova grevën e urisë së studentëve dhe rrëzimin e bustit të Enverit

992
Sigal

*(Mjeshtër i Madh)

Çdo ditë, nga Kinostudio, shkonim për të xhiruar grevën e urisë të studentëve dhe protestat e popullit në ‘Qytetin Studenti’. Më datën 20 shkurt, atë ditë nuk ishim caktuar për të xhiruar, por shkuam për të parë situatën atje.  Meqë situata u agravua shumë, unë zbrita me shpejtësi te ‘Rruga e Elbasanit’ dhe gjeta një djalë të ri me motor, të cilit iu luta për të më çuar në Kinostudio. Shkoj në Kinostudio, te dhoma ime, pa i thënë asnjë njeriu, marr kamerën, një kasetë me 300 m film dhe nisem me shpejtësi. Hipi në katin e tretë të një godine të ‘Qytetit Studenti’. Aty shoh Raimonda Bulkun, Marjeta Larjen dhe një mikun tim, Fatmir Merkoçin, i cili po përgatiste mikrofonin për t’ia dhënë Raimondës e cila do i bënte thirrje gjithë popullit. Në këto momente patëm një përplasje me policinë, të cilët nuk deshën që të xhironim këtë moment historik. Me insistimin tonë, bashkë me Fatmirin(i cili u plagos më vonë), mundëm ti shmangemi këtij presioni. Atëherë, Raimonda Bulku, siç e shikoni dhe në fotografinë origjinale të asaj dite, i bëri thirrje popullit për të shkuar drejt Presidencës. Zbresim me shpejtësi dhe nisemi tek  Liceu Artistik. U përplasëm me policinë, të cilët nuk na lejuan të shkonim tek Presidenca dhe na drejtuan nga sheshi ‘Skënderbej’. Kur arritëm atje, monumenti kishte rënë dhe po zvarritej. Atëherë, hipi në trupin e një personi dhe fillova të filmoj. I thashë: ‘Më fal, se u lodhe! Ai mu përgjigj: ‘Ky që u rrëzua, më ka dënuar me 15 vite burg!’. Hipa tek monumenti i Skënderbeut dhe filmova që aty. Më vonë e shoqërova zvarritjen e bustit, vetëm unë, të cilin e prenë dhe me një litar e varën për ta ngritur me litar tek dhoma ku ishte greva e rinisë. Këto foto që u sjellë sot, botohen për herë të parë.