Efektivi u vra aksidentalisht nga i biri, plumbi në qafë i mori jetën, çfarë deklaruan dëshmitarët për policinë

253
Sigal

Një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë humbi jetën tragjikisht ditën e djeshme në Tiranë, nga një plumb në qafë, i shkrepur nga i biri vetëm 7 vjeç. Ngjarja aksidentale ndodhi rreth orës 13:25, në një bar-bilardo në rrugën “Shyqyri Brari”, në afërsi të Kopshtit Zoologjik.

Viktima është 39- vjeçari Roland Bicerri, efektiv i FNSH-së, i cili në momentin kur është qëlluar po luante bilardo me shokët. Ai kishte marrë me vete edhe djalin e mitur në lokalin ku u mblodh me shokët, ndërsa armën e shërbimit e kishte në një çantë të vogël, të cilën e kishte lënë në tavolinë.

Duket se kjo pakujdesi e tij ka qenë fatale, pasi i biri dyshohet se ka nxjerrë pistoletën nga çanta dhe duke luajtur me të, arma është shkrepur në drejtim të Bicerrit.
Shokët që ndodheshin me të dhe stafi i lokalit kanë nxituar të lajmërojnë ambulancën dhe Policinë. Burimet thanë se ai është nisur drejt spitalit me shenja jete, por nuk ka mbërritur dot i gjallë atje.

Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e Policisë dhe oficerë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat që po verifikojnë rrethanat e ngjarjes.

NGJARJA

Në momentin që efektivi i plagosur rëndë është nisur drejt spitalit, shërbimet e Policisë kanë nisur këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe shoqërimin e dëshmitarëve për t’i marrë në pyetje.

Burimet thanë se u është marrë deklarim 2 punonjësve të lokalit, që ndodheshin në punë në momentin e ngjarjes, si dhe 4 personave, miq të viktimës, që po ashtu kanë qenë prezentë. Sipas të gjitha rrethanave, dëshmive dhe provave të mbledhura në vendngjarje, autor i krimit të rëndë, fatkeqësisht është djali i mitur i viktimës. Këtë e thonë edhe dëshmitarët e marrë në pyetje nga Policia.

E ndonëse këta persona ishin të gjithë në vendngjarje, askujt nuk i ka tërhequr vëmendjen djali 7 vjeç, që po mbante në dorë një pistoletë, që mesa duket, ka qenë me fishek në fole. Të gjithë kanë deklaruar se krejt papritur kanë dëgjuar një krismë dhe më pas kanë parë armën në dorën e djalit të mitur.

Ndërsa Roland Bicerri ka rënë në tokë i gjakosur. Dëshmitarët kanë treguar se ai kishte ende shenja jete, por nuk arrinte dot të fliste. Ndërsa ka humbur shumë gjak në vendngjarje.

VIKTIMA

Roland Bicerri, efektivi 39- vjeçar që humbi jetën dje nga një plumb i dalë nga arma e tij e shërbimit, ishte pjesë e Policisë së Shtetit prej afro 10 vitesh.

Ndërsa aktualisht ai ishte efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndonëse dje nuk ka qenë në shërbim.

Ai kishte ditën e tij të pushimit, pas kaq ditësh shërbimi me orë të tejzgjatura, që kishte zgjedhur ta kalonte me miqtë, duke marrë me vete edhe të birin e mitur.

Shërbimet e tij të fundit me FNSH-në kanë qenë gjatë protestave që u zhvilluan në kryeqytet, pas vrasjes së Klodian Rashës, nga një efektiv i “Shqiponjave”.