Edi Rama në Londër: Shqipëria ka nisur të shikohet me sy tjetër

462
Sigal

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Londër ka marrë pjesë në një ekspozitë arti që kanë hapur aty 2 artistë shqiptarë. Pas suksesit vitin e kaluar në Bienalen e Venecias, ekspozita me punimet e dy artistëve shqiptarë, Edi Hila dhe Adrian Paci, titulluar “Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara”, u riçel edhe në mjediset e shkollës së mirënjohur të arkitekturës, Architectural Association (AA), në Londër. Në çelje të saj ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi atë një tjetër rast “për të rrëfyer përsëri, me fjalë e me vepra, Shqipërinë që ka nisur të njihet e shihet me sy tjetër”. Ekspozita u shoqërua me diskutime të hapura me studentë, pedagogë dhe dashamirës të artit. Për organizatorët e Architectural Association, ekspozita nuk përfaqëson thjesht një bashkëpunim të tashëm, por një urë për të ardhmen, për t’i folur sa më shumë njerëzve edhe përmes artit. Kuratorja shqiptare Jonida Turani vlerësoi se punimet e dy artistëve shqiptarë, “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash nga Edi Hila dhe “The Column“ (Kolona), një video/instalacioni nga Adrian Paci, u pritën mjaft mirë nga publiku londinez dhe sipas saj, vetë prezenca e Kryeministrit Edi Rama rriti interesin për ketë ekspozitë. “Ekspozita u prit mjaft mirë, pati një prezencë të lartë studentësh dhe profesorësh. Shtypi i huaj ka pasur interes të veçantë për këtë ekspozitë. Edhe vetë prezenca e Kryeministrit Edi Rama ka ndikuar në këtë dhe roli i tij si mbështetës i vazhdueshëm i punës së artistëve, por dhe i arkitektëve, solli interes të madh edhe në leksionin e sotëm në AA”, –  tha kuratorja Turani.