Edhe Janullatos, koncesionar me 100% aksione në 3 HEC-e!

640
Edhe “dora” e Zotit, rezulton se është futur ilegalisht e padrejtësisht në “xhepin” e përfitimeve koncesionare ekonomike dhe territoriale, të dhëna prej ish-qeverisë shqiptare të deri 23 qershorit 2013. Prova shkresore dokumentare zyrtare, të QKR, faktojnë se Kisha Greke në Shqipëri, komanduar prej 23 vitesh nga hirësia e Tij Anastasios Janullatos, prezantuar zyrtarisht me logo false, si gjoja “Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë”, rezulton se përveç “Fronit” të Kishës Autoqefale, “bariu” i paligjshëm e anti-S0tatutor i “grigjës” ortodokse shqiptare, duke përdorur veladonin e zi të njeriut të drejtë të Zotit, paska përfituar edhe biznese ekonomike në fushën e energjetikës shqiptare, konkretisht në koncesionet e HEC-ve. Mund të duket e pabesueshme, por sipas dokumenteve të QKR-së, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare e sunduar dhe e komanduar prej 23 vitesh (me dekret anti-kushtetues) nga kleriku anti-shqiptar grek Anastasios Janullatos, ka përfituar dhe është pronare me zotërim 100% të kapitalit e të aksioneve, në koncesionet e formës “BOT”, të 3 hidrocentraleve që po ndërtohen në rrethin e Librazhdit, konkretisht të HEC-ve: “Rapun 3”, “Rapun 3-A” dhe “Rapun 4”. Pronare reale e këtyre 3 HEC-ve, sipas adresës (Kutia Postare) është Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare” me drejtues Anastasios Janullatos! Ndërsa kontrata koncesionare për 3 HEC-et është nënshkruar në emër të shoqërisë koncesionare “C&-S Energy”. Aksionet e shoqërisë koncesionare “C&-S Energy Sh.p.k”, sipas Ekstratit të QKR zotërohen në masën 98% nga “Eko Vepra” sh.p.k dhe 2% nga “C&-S Contruction sh.p.k”. Shoqëria “Eko Vepra sh.p.k” është krijuar në datë 8 nëntor 2011 dhe ka ortak të vetëm të saj, subjektin “Energjia Ekologjike sh.p.k”, krijuar në datën 13 tetor 2011, shoqëri kjo, që sipas QKR, ka si pronar me aksione 100% në zotërim Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me drejtues Anastasios Janullatos. Një informacion i ardhur në Gazetën “Telegraf” nga burime të KESH, mësohet se ka një kontratë mes HEC-ve “Rapun 3”, “Rapun 3-A” dhe “Rapun 4” dhe KESH-it, për të blerë energjinë e prodhuar nga këto HEC-e “Pronë e Zotit”, me çmimin mesatar të blerjes së energjisë prej importit, plus 10% shtesë çmimi! Kujtojmë, që vetëm 2 HEC-et e Janullatos “Rapun 1” dhe “Rapun 2”, që po ndërtohen në rrjedhën e përroit “Rapun” në rrethin e Librazhdit, janë investim prej 25 milion euro, me fuqi të përbashkët mbi 10 MG/W, me prodhim energjie në sasi sa për të plotësuar nevojat e krejt rrethit të Librazhdit. 
—————————————-
Deputeti Balla i “mallkoi” 3 HEC-et e Janullatos në qershor 2013, por i “bekoi” në nëntor 2014!
Ka një demagogji “extra”, që ka ndodhur e po vazhdon të ndodh prej qeverisjes “Rilindja” me koncesionet dhe monopolet që ka dhënë ish-qeverisja “Berisha”. U tha gjatë 8 viteve të opozitës së të majtës sot në pushtet, se jo vetëm do të anuloheshin koncesionet dhe e monopolet, por edhe do të çoheshin në burg ata që i kishin dhënë. Kjo nuk ndodhi dhe nuk po ndodh. As koncesionet e monopolet nuk janë anuluar, as ata që i dhanë nuk janë “shqetësuar”. Përkundrazi, kryeministri, deputetët, ministrat e “Rilindjes”, prej 18 muajsh po “bekojnë” vazhdimësinë e këtyre monopoleve e koncesioneve me ligje, vendime, amnisti fiskale, përsëritje kontratash. Kjo ka ndodhur e po ndodh me 3 HEC-et “kopila” të Janullatosit me emrat “Rapun 3”, “Rapun 3-A” dhe “Rapun 4”. Këto 3 HEC-e, të ndërtuar në rrjedhën e përroit “Rapun” në Librazhd, miratuar me leje prej ish-qeverisë “Berisha” e të “mallkuar” për t’u anuluar prej “Rilindjes” gjatë opozitës së përpara 23 qershorit 2013, janë “bekuar” më 25 Nëntor 2014 nga deputeti i “Rilindjes” Taulant Balla, gjatë një përurimi në këto HEC-e, ku shiritin e preu edhe kryeministri! No Coment! 
 
Sigal