Edhe Instituti i Vjenës ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë

178
Sigal

Instituti i Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare është institucioni i radhës që ka rishikuar me ulje parashikimin e rritjes ekonomike për Shqipërinë.

Sipas Institutit, ekonomia pritet të rritet me 3.5% këtë vit, me rënie prej 0.7 pikë përqindje me vlerësimin e mëparshëm.

“Shqipëria ka një vëllim të ulët të tregtisë me Rusinë dhe Ukrainën, por do të përjetojë pasoja negative nga lufta në Ukrainë, për shkak të marrëdhënieve të forta tregtare me BE-në.

Politika monetare është zhvendosur drejt normave më të larta të interesit dhe masat stimuluese fiskale të qeverisë do të mbështesin konsumin. Eksportet e mineraleve dhe karburanteve kanë marrë vrull; megjithatë Bilanci i llogarisë korente të vendit do të përkeqësohet.

Sipas skenarit bazë, inflacioni këtë vit do të jetë 6% dhe rritja 3.5%. Në periudhën afatmesme, inflacioni do të bjerë në 3% dhe rritja do të rritet në 3.9%”, thuhet në pjesën për Shqipërinë.

Instituti i Vjenës ka rishikuar me ulje rritjen për të gjithë Europën Qendrore e Lindore. Në Ballkan, rishikimin më të thellë me ulje e shënoi Serbia (-1.3%) dhe më të ulëtin Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina.

Më herët, institucionet e tjera ndërkombëtare kanë rishikuar me ulje rritjen e vendit, në dritën e zhvillimeve të reja, ku sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë kanë shkaktuar probleme të mëdha në zinxhirin e furnizimit globale, sidomos të drithërave, vajit, karburanteve e gazit.

Më pesimisti deri tani është Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit me vetëm 2%, nga 4.5% që ishte parashikimi në muajin tetor. Ulja e parashikimit të FMN-së lidhet me luftën dhe ndikimin e saj në partnerët kryesorë të vendit (si Italia) si dhe situatën energjetike.

Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.3% në vitin 2022, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e muajit nëntor.

Banka Botërore në raportin e fundit ”Lufta në Rajon” për Europën Qendrore dhe Azinë pret tashmë që ekonomia vendase të rritet me 3.2 për qind, ose 0.6 pikë përqindje më pak se raporti i mëparshëm. Edhe për vitin 2023, ekonomia pritet të rritet me 3.4%, ose 0.3 pikë përqindje më pak se vlerësimi i mëparshëm.