E plotë/ Kush fshihet pas tenderit 30 mln USD për portin e Durrësit. Roli kontravers i Ballukut

424
Sigal

 

Tenderi për menaxhimin e terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit mbështjell një histori përplasjesh mes ortakësh, ku qeveria shqiptare u përfshi në mënyrë, në dukje indirekte, në favor të njërës palë dhe që mund të përfundojnë me një dëm rreth 130 milionë dollarë në dëm të parave publike të shqiptarëve.

Autoriteti Portual i Durrësit ka shpallur së fundmi kompaninë e regjistruar në Maltë, “Hili Company Limited”, fitues të tenderit me vlerë rreth 30 milionë dollarë për “Shërbimin e Menaxhimit dhe Operimit të Terminalit të Konteinerëve për 5 vjet”,

Një kompani bijë e fituesit, “Mariner Srl”, ka qenë më herët zotëruese e 49 përqind të aksioneve të kompanisë “Durrës Container Terminal”, e cila udhëhiqej nga kompania turke “Durrës Kurum Shipping”.

Pas përplasjeve ligjore mes tyre të nisura në vitin 2015, “Mariner” srl në pronësi të Marin Hili, humbet shumicën dërrmuese të aksioneve, duke mbetur me vetëm 1 përqind.

Pasi qeveria shqiptare vendosi në fillim të vitit 2020 të prishë kontratën koncensionare me “Durrës Container Terminal”, e cila zotërohej thuajse plotësisht nga turqit e “Kurum Shipping”, kompania malteze rikthehet sërish në portin e Durrësit, por kësaj radhe e vetme, duke siguruar shërbimin dhe operimin në sheshin e kontenierëve për 5 vitet e ardhshme.

Tenderi

Autoriteti Portual i Durrësit shpalli tenderin me vlerë 3.1 miliardë lekë të reja në fillim të shtatorit të vitit 2020.

Në dokumentat e nënshkruar nga titullari i portit, Pirro Vëngu dhe të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) në 5 janar 2021, rezulton se në tender kanë marrë pjesë dy kompani.

Përballë “Hili Company Limited” qëndronte shoqëria me seli në Gjermani, “HHLA International Gmbh”.

Të dyja kompanitë u kualifikuan në fazën e parë. Por, siç referohet në dokumentat zyrtare, konkurrenti gjerman nuk ka paraqitur ofertë ekonomike në fazën e dytë. Rrjedhimisht, fitues u shpall shoqëria në pronësi të Marin Hili.

Në faqen e internetit të “Hili Company Limited” është e shënuar se ajo, nëpërmjet “Mariner”, zotëron edhe dy terminale kontenierësh në Riga të Lituanisë dhe në Venezia të Italisë.

“Përplasja” në Shqipëri

Në 22 qershor 2011, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Transporteve, nënshkruan kontratën e koncensionit “Për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të Terminalit të Kontejnerëve në Portin e Durrësit” me kompaninë “Durrës Container Terminal”, e cila përbëhej nga “Durrës Kurum Shipping” dhe “Global Liman Isletmeleri” a.s.

Në muajin tetor të vitit 2012, “Mariner” SPA, një kompani e regjistruar në Itali, e zotëruar nga Marin Hili, bëhet palë në kompaninë koncensionare.

LEXO EDHE  Ambasada: 10 ditë karantinë dhe test negativ për ata që udhëtojnë drejt Britanisë

Sipas marrëveshjes së miratuar mes palëve, “Mariner SPA” do të investonte rreth 1.3 miliardë lekë të reja në “Durrës Container Terminal”, shumë e cila përfaqësonte 48 përqind të aksioneve të kompanisë koncensionare.

Në një vendim të vitit 2017 të Gjykatës së Lartë, të konsultuar nga “Boldnews.al”, jepen detaje mbi raportet konfliktuale mes pjesëmarrësve në kompaninë koncensionare.

Sipas të dhënave të vendimit, rezulton se “Mariner SPA” nuk ka kryer investimet e parashikuara në “Deklaratën e Drejtorëve të Bordit” të vitit 2012.

Mungesa e këtyre investimeve, sipas “Durrës Kurum Shipping” ishte shkak edhe krijimin e vështirësive në përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

Në shkurt 2015, zhvillohet një mbledhje e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve, në përfundim të të cilës u vendos edhe rritja e kapitalit të kompanisë koncensionare.

Sipas konkluzioneve të Mbledhjes, “Mariner SPA” humbet të drejtën e 48 përqind të aksioneve, për shkak të mungesës së investimeve të marra përsipër prej saj, duke i mbetur përfundimisht vetëm 1 përqind e aksioneve, vlerë e përllogaritur e kontributit që ajo kishte dhënë.

“Mariner SPA” i ankimon vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve në Gjykatën e Durrësit.

Kjo e fundit, me vendimin e datës 20 Dhjetor 2015, rrëzon padinë e “Mariner SPA”. Çështja shkon në Gjykatën e Apelit.

Trupa gjykuese e shkallës së dytë, me një vendim të Prillit 2016, vendos pranimin e padisë, duke ndryshuar tërësisht vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Palët shkojnë pranë Gjykatës së Lartë. Në 1 Qershor 2017, trupa e gjykatës supreme vendos përfundimisht rrëzimin e padisë, duke vulosur në këtë mënyrë edhe humbjen e aksioneve të “Mariner SPA” (e ndryshuar në “Mariner srl”).

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila ka pranuar konkluzionet e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të kompanisë “Durres Container Terminal”, situata është e tillë: “Durrës Kurum Shipping” zotëron 99.90 përqind; “Mariner srl”, 0.9 përqind dhe “Lobal liman isletmeleri”, 0.01 përqind.

Arbitrazhi

Në vitin 2017, qeveria shqiptare shfaqi pakënaqësitë e para zyrtare mbi kompaninë “Durrës Container Terminal”, të cilët u mbyllën me ndërprerjen e parakohshme të kontratës koncensionare në fillim të vitit 2020.

Kompania koncensionare shprehu mos-dakordësinë me këtë veprim të njëanshëm të qeverisë shqiptare, e përfaqësuar nga Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Për këtë arsye, “Durrës Container Terminal” i është drejtuar Dhomës së Arbitrazhit Ndërkombëtar në Londër, ku ka paraqitur një padi kundër shtetit shqiptar.

Nga BoldNews.al