“E para e këtij lloji në Shqipëri”, detajet për gomonen e kapur në Vjosë, dyshimet që rëndojnë mbi policinë kufitare

334
Sigal

Ka zgjatur për më shumë se pesë orë operacioni në det të hapur i Guardia Di Finanzia dhe policisë së Vlorës, për kapjen e një gomoneje të fuqishme që dyshohet se kryente trafik droge.

Gomonia u kap në afërsi të Mifolit, por trafikantët arritën të shpëtonin, ndërsa në bordin e mjetit nuk u gjet lëndë narkotike, po vetëm një sasi karburanti.

Detajet për mjetin e fuqishëm dhe të sofistikuar i jep për “BalkanWeb” gazetari Enrik Mehmeti.

Sipas tij, bëhet fjalë për një gomone të sofistikuar, mbi 10 metra të gjatë, me tre motorë me 350 kuaj fuqi e para e këtij lloji e kapur në vendin tonë. Po ashtu gomonia ishte e pajisur me radarë për të kontrolluar territorin ku kalonte.

Jo vetëm shtatë mjete lundruese, por edhe një helikopter dhe dron u vunë në ndjekje të saj pasi u pikas nga Guardia Di Finanzia në Itali. Ajo u ndoq nga Karaburouni deri në afërsi të lumit Vjosë, aty ku u gjet e braktisur.

Dyshohet se trafikantët e kanë dorëzuar lëndën narkotike në Itali, e më pas po kthehej në Shqipëri, atëherë kur edhe u pikas.

“Po hetohen edhe lëvizje të policisë kufitare për faktin se si ka mundësi që një gomone kaq e madhe nuk u pikas kur u nis nga Shqipëria. Ndërkohë që Guardia Di Finanzia po heton të gjitha lëvizjet e tij në bazë të radarit dhe GPS që kishte në bord. Kjo do sjellë edhe hetim ndaj policisë kufitare”,- tha gazetari Enrik Mehmeti.

NJOFTIMI I POLICISE

Në vijim të operacionit të kërkimit të mjetit lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare, bashkë me DVP Vlorë, Delta Forcë, Rojën Bregdetare dhe Guardia di Finanza, kanë bërë të mundur gjetjen dhe bllokimin e gomones, në brendësi të lumit Vjosë, në afërsi të Mifolit.

Nga këqyrja dhe kontrolli i mjetit lundrues nuk është gjetur në bord lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë vazhdojnë krehjen e zonës, për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë qenë në bordin e këtij mjeti lundrues, si dhe kontrollin në ujërat detare për lëndë narkotike pasi dyshohet se mund ta kenë hedhur në det gjatë ndjekjes nga Policia.