E gjithë bota i bashkohet Francës

650
Sigal

E gjithë bota është me Francën, e gjithë bota është Charlie Hebdo, pa dallim feje, race, gjinie, ideje. Moto e gjetur mirë e gjithë njerëzimit, që fatkeqësia e ndodhur pardje në Paris, në revistën satirike “Charlie Hebdo” nuk i ka ndarë, por i ka bashkuar më shumë. Sulmi i djeshëm, që rezultoi për fat të keq me 12 të vdekur dhe me shumë të plagosur të tjerë, ka vënë në gatishmëri policinë franceze në kapjen e autorëve të ngjarjes, ku dy nga ata janë vëllezërit algjeriano-francez Cherif dhe Said Kouachi. Për shkak të kësaj ngjarjeje, tre ditë zije do të mbulojnë Francën, duke filluar që nga dita e djeshme ku të gjithë flamujt u ulën në gjysmë shtizë. E mërkura tronditëse filloi në revistë, ku tre të maskuarit u futën me dhunë në godinë dhe shkaktuan një masakër të padëgjuar më parë, duke vrarë qoftë policët, rojet e sigurisë e në fund gazetarët. Të dyshuarit kryesor ishin të maskuar dhe të armatosur dhe sipas policisë në makinën e tyre janë gjetur flamuj të xhihadistëve dhe bomba molotov. Dy vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi fillimisht janë lokalizuar në veri të Francës në rajonin e l’Aisne pasi kanë ndaluar në një pikë karburanti por akoma nuk janë kapur nga policia, duke u bërë kështu personat më të ndjekur aktualisht në Francë, që falë edhe një gabimi të tyre, duke harruar kartat e identitetit në makinë janë edhe identifikuar nga policia. Deklaratat e ndryshme nga mbarë bota, si nga zyrtarët e lartë apo edhe njerëzit e thjeshtë, i kanë bërë jehonë kësaj  ngjarjeje në mënyrë që të mos përsëritet më, të mos ketë më të tilla ngjarje, veprime dhe tragjedi.

 Kouchner: E kemi bombarduar Serbinë dhe mirë kemi bërë

Ish-kryeadministratori i Kosovës dhe dikur Ministër i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, është konfrontuar ashpër në një debat në TV “France 2”, kur ka folur për Kosovën. Gazetari që ka mbuluar luftën në Kosovë, Aymeric Caron i ka thënë Kouchnerit se Kosova është shtet i dështuar dhe mafioz dhe për krerët e saj ka akuza për trafikim organesh. “Ju jeni i sëmurë”, i ka thënë mes tjerash Kouchner duke iu përgjigjur. “Si mund të imagjinoni trafikim organesh në një vend ku spitalet nuk kanë pasur rrymë?”, ka thënë i nervozuar Kouchner.
Ai ka thënë se ishte vetë Parlamenti kosovar që kërkoi hetime pas raportit të Këshillit të Evropës. Gazetari Caron ka ngritur pikëpyetje për nevojën e bombardimeve në vitin 1999, dhe madje ka pohuar se përpos Putinit këtë e kundërshtonte edhe Ibrahim Rugova. “Kjo nuk është aspak e vërtetë”, ka thënë Kouchner. “Ne kemi ndërhyrë sepse në Kosovë zhvilloheshin masakra kundër popullatës civile”. Të gjithë kanë qenë pro sepse kishte luftë të vazhdueshme kundër shqiptarëve të Kosovës. E kemi bombarduar Serbinë dhe mirë kemi bërë. Nuk është e vërtetë që Rugova ka qenë kundër, përkundrazi, ka qenë i pari që fuqishëm na ka përkrahur për bombardime. Pala kosovare ka qene unanime për ndërhyrjen”, ka thënë ish-kryeadministratori, transmeton Koha.net.
Sipas Kouchner, Putinin, Perëndimi e kishte paralajmëruar se nuk do të lejonin largimin masiv të kosovarëve dhe vazhdimin e torturave dhe masakrave. Diplomati francez ishte në emisionin e “France 2” për të promovuar librin e tij.

Ambasadori i Francës në Tiranë: “Jo sulm fetar, por sulm nga njerëz pa nder dhe fe”

 Dje, Ambasadori i Francës në Tiranë, në një deklaratë për shtyp mbi ngjarjen e hidhur “Charlie Hebdo” ku humbën jetën 12 persona, ka thënë se ky sulm nuk është sulm fetar, por një sulm i bërë nga kriminelë që nuk kanë fe dhe nder.

“Franca ka qenë objekt i një atentati të paprecedent, ky atentat shkaktoi 12 viktima dhe plagosi shumë të tjerë. Mes tyre dhe disa gazetarë të talentuar, të njohur për lirinë e shprehej dhe të fjalës. Kjo revistë mishëron prej dhjetëra vitesh të drejtën për të menduar në liri të plotë. Këta vrarës të ulët donin të godisnin lirinë e të menduarit dhe të shprehurit. Franca nuk do të lejojë të goditet nga ky krim i poshtër. Ky akt shumë i rëndë shkaktoi dhe vrasjen e dy policëve, njëri u ekzekutua teksa kërkonte mëshirë. Këta vrasës tentuan të mbillnin kaos. Këta burra dhe ajo grua vdiqën dhe u vranë për idenë që kishin për Francën, për Francën e lirë”, tha ambasadori Bernard Fitoussi. Në vazhdim ai tha se Franca duhet të jetë e bashkuar dhe se vrasësit duhet të marrin atë që ju takon: “Dua të shpreh dhe njëherë se Franca nuk do të pengohet në luftën kundër kësaj barbarie. Ne duam të shpërndajmë mesazhin e paqes në gjithë botën. Ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë krimit që na goditi. Do t’i ndëshkojmë në mënyrë më të ashpër të mundshme. Do bëjmë gjithçka për t’i kapur. Arma jonë më e mirë është uniteti”- deklaroi ambasadori. Ai falënderoi autoritetet shqiptare dhe gjithë gazetarët për mbështetjen që i kanë dhënë duke thënë se emocioni ishte i fortë i fortë:
“Emocioni në Shqipëri ka qenë i fortë, kam marrë mesazhe të panumërta, mbështetje nga autoritete si dhe gjithë shoqëria. Zonja dhe zotërinj, dua të shpreh ngushëllimet e mia! Në Shqipëri njihet çmimi i gjakut që është derdhur për fjalën e lirë.  Nga ana ime, unë e dija se sa vlera universale janë të respektuara gjerësisht në Shqipëri. Dëshminë e saj ne e pamë dje”- deklaroi ambasadori. Më tej, për të mbyllur edhe këtë deklaratë, ambasadori i dërgoi një mesazh gjithë botës duke thënë: “Ata nuk kanë fe, ata janë vrasës dhe jo myslimanë, apo katolikë, janë kriminelë pa ligj dhe pa nder. Dua të shpresoj që vendi jonë dhe Europa të mësojë nga Shqipëria dhe të bëjnë të jetojnë në harmoni të gjitha besimet fetare”.

Ilir Meta: Shqipëria një me Francën, ky akt të dënohet maksimalisht

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u ka dërguar letra ngushëllimi homologeve te tij francezë,  Presidentit të Asamblesë Kombëtare te Francës Claude Bartolone dhe Presidentit të Senatit francez Gerald Larcher, pas sulmit terrorist në revistën “Charlie Hebdo” në Paris, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Kreu i Kuvendit, në letrën e tij shkruan se Shqipëria dhe shqiptarët janë në solidaritet të plotë me Francën dhe francezët, ndërkohë vazhdon më tej në letër duke shkruar se autorët  e këtij sulmi që goditi penën dhe mendimin e lirë të gazetarëve, duhet të përballen me ndëshkimin maksimal. “Në këtë moment tejet të vështirë për popullin tonë mik francez dhe në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave, dhe të urojmë një shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur”, shkruan Kryetari i Kuvendit. Sipas tij, kjo ngjarje përforcon bindjen për luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe kundër çdo force të errët që cenon lirinë tonë të shprehjes dhe tolerancën e çmuar që gëzojmë sot në Evropë. “Sot Shqipëria është një me Francën dhe populli shqiptar është një me popullin francez. Me solidaritetin tonë të plotë dhe duke dënuar këtë akt të tmerrshëm terrorist, ju siguroj zoti President se gjendemi përkrah jush dhe miqve tanë francezë në këto ditë të vështira zie”, mbyll letrën kreu i Kuvendit

 Unioni i gazetarëve në Shqipëri i bashkohet Francës

Pas sulmit terrorist të bërë ndaj stafit të revistës satirike “Charlie Hebdo” në Francë, një grup gazetarësh, qytetarësh e personalitete të njohura shqiptar e francezë kanë zhvilluar homazhe dhe kanë ndezur qirinj tek piramida në shenjë respekti për jetët e humbura duke shfaqur kështu solidaritetin e tyre ndaj të vrarëve në atë ngjarje tragjike. I pranishëm edhe Ambasadori francez, ka vlerësuar këtë organizim duke kërkuar madje që të këndohej edhe Himni Shqiptar, në shenjë respekti për viktimat në Francë. I pranishëm ka qenë edhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati që shprehu mbështetjen e tij ndaj Francës dhe në të njëjtën kohë dënoi ashpër sulmet terroriste.