E dyshuara si spiune ruse kërkon azil politik në Shqipëri

117
Sigal

Pas shtatë muajsh në paraburgim për çështje spiunazhi në Shqipëri, Svetlana Timofeeva kërkon ndihmë shqiptare për azil politik, me arsyetimin se nëse  esktradohet në Rusi, atje do t’i rrezikohet jeta nga persekutimi.

Përmes një letre të gjatë të firmosur nga avokati i saj, Isuf Shehu, 34-vjeçarja që konsiderohet si spiune nga prokuroria e Elbasanit, shpjegon se gjatë vitit 2018 ka dalë  haptazi kundër Putinit dhe për këtë shkak drejtësia ruse e kërkon për akuzën e marrjes së paligjshme të informacionit.

“Federata Ruse ka paraqitur kërkesën për ekstradim për një vepër me karakter politik, pra kërkohem për qëllime politike”, shkruan më tej Timofeeva, në kërkesën për azil të dorëzuar drejtorisë së përgjithshme të zhvillimit për migracionin dhe azilin si dhe policisë së kufirit në Tiranë.

Duke kujtuar konventën evropiane, si argument tjetër të persekutimit, Timofeeva shton bindjet e ish-bashkëshortit, që e konsideron një  përkrahës të Putinit. Bindjet politike, nënvizon 34-vjeçarja e arrestuar në Shqipëri, së bashku me Mikhail Zorin dhe Fedir Aplatov, ishin shkaku kryesor i divorcit.

Duke e barazuar misionin e medias me atë të blogerimit, e dyshuara si spiune në Shqipëri, kujton dënimin në 6 korrik 2020 të gazetares Svetlana Prokopyevën, e cila mbas një transmetimi ku kritikoi në radio klimën represive në Rusi, u dënua nga një gjykatë ushtarake. Timofeeva parashikon se edhe ajo do t’i nënshtrohet trajtimit çnjerëzor dhe torturues, në rast se ekstradohet.

Timofeva, Zorin dhe Alatov po përballen me gjykatat shqiptare për  dyshimet e spiunazhit. Ata u kapën në flagrancë në uzinën ushtarake të Çekinit në Gramsh duke fotografuar. Ndërsa në sendet personale të tyre u gjetën mjaft matëriale të tjera të disa pikave të rëndësishme që njihen si infrastrukturë kritike.