E bën Parkun e Dajtit gurore me 30 milionë lekë taksa, tani do bëjnë guroren “Park” me tender 360 milionë lekë

575
Vetëm në Shqipëri ndodh, që në vend që të revoltohesh e të reagosh ashpërsisht ndaj qëndrimeve dhe akteve skandaloze të shtetarëve… nis e qesh! Janë disa veprime sa absurde e skandaloze, aq edhe komike, por që në përmbajtje të tyre janë sjellje tallëse ndaj qytetarëve, duke përdorur fondet dhe pasuritë publike e të komuniteteve, sipas interesave të klikës që komandon pushtetin (në çdo pushtet). Një absurd i tillë u zbulua dje prej gazetës “Telegraf”, publikuar në faqet e njoftimeve të tenderëve të shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike Nr. 26, datë 4 korrik 2016. Çfarë ndodh? Me një njoftim në këtë buletin, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, shpall një tender të “çuditshëm”, me vlerë miliona lekë që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Konkretisht Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, njofton ka bërë dhe shpall fituesin e tenderit për… rehabilitimin e gurores në Parkun Natyror Nr. 1 në Malin e Dajtit! 


Nuk e dimë se cila mendje “shkencëtari” në këtë agjenci, apo në qeveri e ka shpikur këtë tender, por dimë faktin që kjo gurore ka qenë Park i mbushur me pyje e shkurre dhe zëra shpendësh e kafshësh dhe është tjetërsuar në gurore ku gjëmojnë matrapikët, tritoli, gjeneratorët, fadromat dhe kamionët që ngarkohen me gurë e çakëll. Gurorja ka qenë një ish-park natyror i krijuar prej Zotit, por me vendime e pazare zyrtare është rrafshuar e është kthyer në gurore për prodhim lëndësh inerte, duke vazhduar aktivitetin si gurore deri sa iu shkul edhe…“themeli”. Ndërsa tani që parku (pylli) është kthyer totalisht në gurore aq pa vlerë sa nuk ka më interes për lëndë inerte, thuhet se do bëhet përsëri pyll! Ajo ishte pyll me shkurre, pemë, burime ujore, kafshë e shpend të egra, por për të marrë vetëm 30 milionë taksa nga privatët e shkatërruan. E tani, pasi e kanë lejuar të kthehet përfundimisht në gërmadhë shkëmbore, “shkencëtarët” e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dalin e bëjnë “humor” dhe pak biznes me një tender 360 milionë lekë, gjoja për ta kthyer guroren në park me pyll e shkurre, pse jo edhe me lule! Ky lloj tenderi, i bërë për këtë lloj “investimi”, duket haptazi që është vjedhje me letra zyrtare. Ka mendje shkencëtarësh që për zbukurim e dekor vendosin gurë në park e hedhin çakëll në park, por nuk besojmë se mund të ketë në botë ndonjë mendje si këta “shkencëtarët” e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri, që të arrijnë të mbjellin shkurre e pyje mbi bazamentin e një… guroreje! Dhe sipas njoftimit zyrtar, këtë “shpikje” do ta realizojnë brenda 4 muajve!
Sigal