Dyshohet se vrau 20-vjeçarin, gjykata vendos “arrest me burg” për Axel Hoxhën

108
Sigal

Gjykata e Tiranë vendosi masën “arrest me burg” për Axel Hoxhën, 18-vjeçarin që dyshohet se qëlloi me thikë pas shpine 20-vjeçarin Stiven Toshkëzi, i cili nuk u mbijetoi dot plagëve.

Hoxha doli sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

I riu Stiven Toshkëzi dyshohet se u qëllua me thikë pas shpine natën e 18 prillit, shumë pranë banesës së tij në Tiranë. Toshkëzi sapo kishte lënë punën kur është përballur me dy 18-vjeçarët, të cilët dyshohet se e kishin qëlluar pas shpine, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Dje gjykata la në burg edhe Ensi Mazen si bashkëpunëtor.

E dashura e Stiven Toshkëzit, në dëshminë e dhënë për policinë ka deklaruar se autori i krimit e shqetësonte në rrjetin social Instagram. Sipas saj, këto shqetësime nga ana e autorit të krimit, janë vënë re nga partneri i saj 20-vjeçar, gjë që ka sjellë konflikt mes Stiven dhe Axel.

Por në dëshminë e tij, Axel Hoxha ka mohuar ta ketë ngacmuar vajzën duke thënë se takimet dhe kontaktet mes tyre ishin të pashmangshme për shkak se ishin në një klasë. Madje ka kërkuar edhe ballafaqim me të dashurën e viktimës. 18-vjeçari njihej si person problematik në shkollë dhe zonë.