Dyshohet se vidhte apartamente me dyer të blinduar duke klonuar çelësat, arrestohet 34-vjeçari

130
Sigal

Policia ka vendosur në pranga një 34-vjeçar i cili u kap mat duke tentuar të grabiste një apartament në rrugën “Sami Frashëri”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Klonimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2. dhe Komisariati i Policisë Nr. 3.

Vidhte në banesa me dyer të blinduara, duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 shtetas, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Zbardhen dhe dokumentohen 10 raste të vjedhjes në banesa të ndryshme, duke përdorur çelësa të klonuar.

Sekuestrohen 2 aparate celulare dhe çelësa që autorët i përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Klonimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– V. K., 34 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. Q., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi V. K., më datë 30.12.2022, është kapur në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, gjatë kohës që po tentonte të vidhte në një apartament, në rrugën “Sami Frashëri”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin A. Q., gjatë këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë, në 9 apartamente, në zona të ndryshme të Tiranës, konkretisht:

– Më datë 04.03.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit B. M.;

– Më datë 20.03.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit L. C.;

– Më datë 15.07.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. K.;

– Më datë 06.08.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. D.;

– Më datë 03.10.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. Z.;

– Më datë 05.11.2022, kanë vjedhur nl banesën e shtetasit A. B.;

– Më datë 10.11.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. N.;

– Më datë 23.11.2022, kanë vjedhur nl banesën e shtetasit B. M.;

– Më datë 30.12.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit E. Gj.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 aparate celulare dhe çelësa që autorët i përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.