Dyshohet se shisnin ilaçe të kontrabanduara, nisin hetimet për dy farmacistet!

117
Sigal

Dy farmaciste në Gjirokastër janë vënë nën hetim nga policia pasi dyshohet se shisnin ilaçe të kontrabanduara në objektet ku ato punonin.

Nën hetim në gjendje të lirë janë vënë I. S., 37 vjeçe dhe N. A., 44 vjeçe të dyja banuese në Gjirokastër. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh mjekësore.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Medicines”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

Mbanin dhe tregtonin medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, procedohen penalisht 2 shtetase.

Sekuestrohen medikamentet mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se dy shtetase posedonin sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicines”, si rezultat i të cilit nisi procedimi penal për shtetaset:

– I. S., 37 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”. Gjatë kontrollit në automjetin e kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në farmacinë e saj;

– N. A., 44 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin (dyqanin) në pronësi të kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në këtë dyqan.

Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.