Dyshohet se plagosi me armë dhe u largua, arrestohet 42-vjeçari në Tiranë

120
Sigal

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Tufinës në kryeqytet.

Policia bën me dije se pas një konflikti për motive banale, një 42-vjeçar dyshohet se ka plagosur në këmbë një person tjetër dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e autorit, ndërkohë që i plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht policia po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me armë zjarri një shtetas dhe u largua, falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.  Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur gjatë krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në Tufinë, shtetasi J. D., 42 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kishte plagosur në këmbë, me armë zjarri, shtetasin D. K., kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, brenda një kohe rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë kapur dhe shoqëruar në komisariat, shtetasin J. D.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur nga ky shtetas.  

Shtetasi D. K. aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.