Dyshohet se kanosi me pistoletë biznesmenin, arrestohet 49-vjeçari

88
Sigal

Një 49-vjeçar me precedent të mëparshëm penal, ra në prangat e policisë Korçë pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri, një biznesmen, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Policia tha se ka arrestuar në flagrancë shtetasin– J. P., 49 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 15, Korçë, në një lokal, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri pronarin e lokalit, gjatë një konflikti midis tyre, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar.

Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri një 50-vjeçar, në lokalin e këtij të fundit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e 49-vjeçarit J. P., u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.