Pas katër muajve në kërkim, policia ka vënë në pranga personin që dyshohet se lëshoi një granatë shpërthyese në një biznes në Lezhë, ngjarje e ndodhur në prill të këtij viti.
Shtetasi A. Z., kërkohej nga efektivët, pasi gjykata kishte vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “” Vrasja me dashje”, mbetur në tentative” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
A.Z., dyshohet se ka lëshuar një ndezës granate në drejtim të shtetasit S. P., i cili ka shpërthyer dhe ka shkaktuar dëme materiale. Shtetasi S.P., mësohet se ka qenë edhe objektivi i sulmit.
Pas ngjarjes, 36-vjeçari S.P., është larguar pa njoftuar policinë, por u arrestua disa orë më vonë dhe ndaj tij është ngritur akuza e moskallëzimit të krimit.
Njoftimi i policisë:
DVP Lezhë/Vijojnë operacionet për lokalizimin e kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fitili”. I kërkuar nga Policia pasi i lëshoi një shtetasi, një ndezës granate, brenda një biznesi, vihet në pranga 46-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e paligjshmërive dhe kapjen e vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave në kërkim, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me komisariatet e Policisë në varësi të DVP-së, si dhe me Policinë Rrugore, kanë organizuar kontrolle të befasishme në të gjithë qarkun. Si rezultat i kontrolleve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Fitili”, në kuadër të të cilit u lokalizua, u kap dhe u ndalua shtetasi:
-Admir Zogaj, 46 vjeç, banues në Manati.
46-vjeçarit të kërkuar i ishte caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ” Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi në muajin prill të këtij viti, në një restorant në Lezhë, ka lëshuar një ndezës granate në drejtim të shtetasit S. P., i cili ka shpërthyer dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Kontrollet e befasishme për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë do të vijojnë në të gjithë qarkun, krahas angazhimit maksimal për mbarëvajtjen e sezonit turistik.






















