Dyshohet se grabitën dhe dhunuan për vdekje të moshuarin, gjykata lë në burg dy të arrestuarit

92
Sigal

Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy autorët e dyshuar të grabitjes me dhunë në Mallakastër, ku humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar 89-vjeçari Caush Shehaj.

Dy autorët 22 dhe 28-vjeç u arrestuan disa orë pas ngjarjes. Ndërsa njeri prej tyre, Musa Gudo nuk është një figurë e panjohur për blutë e Fierit pasi kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu ku vuante dënimin për përdhunimin e një 23-vjeçarje në Fier.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së shtunës, ku persona të armatosur hynë në banesën e shtetasit Çaush Shehaj, 89 vjeç. Pasi e kanë dhunuar të moshuarin, autorët u larguan prej andej me një shumë parash. Burri i moshuar u dërgua me urgjencë për në Spitalin rajonal të Fierit, duke përfunduar në reanimacion për shkak të gjendjes së rënduar. Por, një ditë më vonë, pra gjatë ditës së diel, Shehaj ka gjetur vdekjen duke mos arritur t’i mbijetonte plagëve të marra.

Arrestimet

Pas ngjarjes së rëndë, forcat e rendit kanë nisur hetimet dhe kanë identifikuar autorin e vrasjes së të moshuarit.

Në pranga përfunduan Musa Gudo. 28 vjeç, dhe Ervis Halimi, 22 vjeç, të cilët nën kërcënimin e automatikut, i kanë marrë një shumë parash brenda banesës së të ndjerit. Lidhur me ngjarjen, policia procedoi penalisht edhe 16-vjeçarin F.Ç, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”. “Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Ervis Halimi, 22 vjeç, banues në Fier dhe Musa Gudo, 28 vjeç, banues në Portëz, Fier.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë”, sqaroi Policia.

Fillimisht, ndaj të rinjve rëndonte akuza e “vjedhjes me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajt ja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, por pas vdekjes së të moshuarit gjatë së dielës në Spitalin e Fierit, Policia ka riklasifikuar veprën penale ndaj dy autorëve, duke i akuzuar ata për “vjedhje me pasojë vdekjen”.