Dyshohet se dhunoi bashkëshorten, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë

101
Sigal

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka marre me forcë bashkëshorten e tij nga vendi i saj i punës, për ta çuar më pas pa dëshirën e saj në një lokal, ku e ka dhunuar.

Uniformat blu njoftojnë se gruaja ishte e pajisur  me urdhër mbrojtjeje.

A.Sh., dyshohet se e ka dërguar gruan në një lokal dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila e kishte pajisur atë me urdhër mbrojtjeje.

Bashkëshortja e A. Sh., punonte në një farmaci, ndërsa mësohet se 33-vjeçari  e ka marrë me forcë për t’i kërkuar që të riktheheshin bashkë dhe ta falte.

Por sipas dëshmisë së gruas, ai dyshohet se e dhunonte dhe për shkak të xhelozisë nuk e lejonte të shkonte në punë. Kjo dyshohet se ka qenë arsyeja  se pse ai e  dhunonte, pasi donte  që ta mbante në shtëpi.

Njoftimi i Policisë

Tiranë

I hoqi lirinë dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje, falë veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit se një shtetas kishte marrë me forcë bashkëshorten e tij nga vendi i saj i punës, e kishte çuar atë në një lokal, pa dëshirën e saj, dhe më pas e kishte dhunuar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale nga shërbimet e Policisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– A. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Ky shtetas ka marrë me forcë bashkëshorten e tij, nga subjekti privat ku ajo punonte, në rrugën “Qazim Vathi”, e ka dërguar në një lokal dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila e kishte pajisur këtë shtetase me urdhër mbrojtjeje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.