Dyshja Filo-Peleshi kërkon me çdo kusht sakrifikimin e familjeve tona!

372

– Vijon nga numri kaluar –

KORÇË–  Për 28 kryefamiljarët e rrugës “Don Gjon Buzuku” në Korçë nuk ka më qetësi. Dëshpërmi ka përfshirë gjithë anëtarët e familjes, që nga fëmijët e vegjël e deri te gjyshërit. Megjithatë, këta banorë nisën të ndihen edhe më të dëshpëruar, edhe më fatkeqë, që na dita e daljes së Vendimit të Këshillit të Ministrave, më 28 janar 2014,  “për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “rikonstruksion dhe zgjerim i rrugës “Don Gjon Buzuku”, Korçë”. VKM-ja kishte qenë për këta banorë shpresa e vetme dhe e fundit, sepse gjithnjë kishin menduar se qeveria do të ishte e më e drejtë dhe më e arsyeshme, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Dëmshpërblimet e përcaktura nga qeveria për banesat, njësitë tregtare etj që do të prishen, janë më shumë se qesharake. Kështu shprehen kryefamiljarët e rrugës “Don Gjon Buzuku”. Sipas tyre, “në VKM-në e datës 28 janar 2014, nuk pasyrohet asgjë më shumë dhe asgjë më pak përveç dëshirës së dyshes Filo-Peleshi për të na parë në gjendjen më të mjeruar të mundshme, ashtu siç jemi sekuestruar dhe shpronësuar edhe në kohën e diktaturës”. Ndryshe nga pjesa më e madhe e 28 kryefamiljarëve, për disa familje  të rrugës “Don Gjon Buzuku”, qeveria ka dhënë dëmshpërblime më të majme. Me sa duket për qeverinë e sotme disa janë të nënës dhe disa janë të njerkës. Peripecitë e banorëve në fjalë, kanë qenë të shumta, të gjitha këto na i rrëfen njëri prej prej banorëve të “Don Gjon Buzukut”, Agim Tefiku, i cili i refrohet letrës se 28 kryefamiljarëve drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani

Pse vendosët t’i drejtoheni me letër Presidentit të Republikës Bujar Nishani?

Sepse nuk na mbeti rrugë tjetër. Pritëm me shumë shpresë daljen e vendimit të qeverisë, por edhe vendimmarrja e saj ishte një zhgënjim i madh për ne. Që nga dita e parë kur  projekti për zgjerimin e rrugës “Don Gjon Buzuku” u bë i njohur e deri më sot, për 4 muaj me radhë, jemi përballur me padrejtësi të shumta, me mungesën e transparencës, me veprime të fshehta të Bashkisë Korçë, vetëm e vetëm që dëmshpërblimi ynë të ishte sa më i vogël. Më në fund ata ia arritën këtij qllimi. Tashmë ne rrezikojmë të mbetemi në mes të katër udhëve. Histora e dëmshpërblimit tonë është histora më e dëshpëruar e jetës tonë. Çmimet, me të cilat do të vlerësoheshin banesat tona, brenda një kohe të shkurtët u ndryshun tri herë me radhë. Pas çdo ndryshimi, masa e dëmshpërblimit për shtëpitë tona bëhej gjithnjë më e vogël, deri sa u katandis kokoshi një thelë.

Z. Tefiku,  mund të jeni disi më konkret në rrëfimin e këtij aspekti?

Sigurisht, mund ta sjell gjithçka me detaje. Kjo histori nisi në tetor të vitit 2014. Që nga ajo kohë për ne nuk pati asnjë ditë të qetë. Cila do të ishte masa e dëmshpërblimit, ishte shqetësimi ynë. Ndiqnim më vëmendje çdo vendim të bashkisë që kishte lidhje me rrugën ku ne banonim. Ishte vënë në lojë jeta dhe pasuria jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë. Nuk mund të na kthente dot askush në mjeranë me një të rënë të lapsit. Të paktën ky ishte besimi ynë. Më 7 nëntor të vitit 2014, Këshilli i Bashkisë votoi projektin për zgjerimin dhe rikonstruksionin e rrugës “Don Gjon Buzuku”. Ndërkaq Bashkia e Korçës, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i kërkoi Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme çmimet e shitjes së trojeve, banesave, njësive tregtare etj., për tre muajt e fundit, ashtu siç është e përcaktur edhe në ligj. Fillimisht menduam se çdo gjë po shkonte mirë, por nga dita në ditë nisëm të kuptonin se procesi do të përfundonte në dëmin tonë. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përmes shkresë zyrtare të saj, datë 14.10.2014, nr. 5862 prot., bazuar në shitjet e tri muajve të fundit, dha këto çmime: 1) vlera mesatare e truallit për zonën kadastrale 8563, ishte 13.630 lekë për metër katror. 2) vlera mesatare e banesave, 45.230 lekë për metër katror. 3) dhe vlera mesatare e njësive tregtare, 65.481 lekë për metër katror. “Me këto çmime do të bëhen vlerësimet”, na tha kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, mirëpo ne konstatuam që nga momenti i parë se çmimet për vlerësim që na ishin ofruar, jo vetëm që nuk ishin çmime tregu, por në të njëjtën kohë ishin edhe tepër të ulta, në krahasim me çmimin që shitej realisht një metër katror truall apo ndërtim. Këto çmime nuk morën as votat e këshilltarëve të djathtë. Të gjendur në këto kushte, në datën 10.10.2014, ne morëm takim me kryebashkiakun, Sotiraq Filo, me qëllim shprehjen e shqetësimeve tona mbi çmimet e ofruara.

Cili ishte përfundimi i këtij takimi?

Përfundimi i takimit ishte një katastrofë e vërtetë. Ne nuk mundnim ta besonim dot, por as ata që do ta lexojnë këtë histori nuk kanë për ta besuar. Takimi me z. Sotiraq Filo ishte veçse një ironi. Ai na tha se vlerësimi nuk do të bëhej me çmimet që ishin ofrura nga ZRPP, por me çmime të tjera, por pa na sqaruar se mbi ç’kriteresh ishin përcaktuar çmimet. Kjo gjë na la të habitur. Ne dëshironim të dinim, a ishin marrë parasysh çmimet e tregut.  Për të gjitha këto nuk patëm përgjigje. Çmimi i ndërtimit rritet,-  na tha z. Filo,- nga 45.230 lekë për metër katror, sipas Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bëhet 47.000 lekë për metër katror. Gjithashtu,- tha ai,- edhe çmimi për njësitë tregtare rritet, nga 65.481 lekë për metër katror, bëhet 70.500 lekë për metër katror. Ulje pëson vetëm çmimi i truallit,- vuri në dukje z. Filo,- pasi nga 13.630 lekë për metër katror (sipas ZRPP), tashmë bëhej 7.535 lekë për metër katror. Në pamje të parë gjithçka dukej e bukur, por pas një llogaritjeje në total rezultonte se që të gjithë, (28 familjet), dilnin me humbje të mëdha. Nëse me çmimet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vlera e shtëpisë time shkonte në 9.205.720 lekë, me çmimet “e rritura” të z. Sotiraq Filo, vlera e banesës zbriste në 7.505.720 lekë, pra 1.700.000 lekë më pak. Kjo humbje llogaritej për të gjithë Të gjitha kalkulimet flisnin për një mirëllogaritje në dëm të 28 familjeve të rrugës “Don Gjon Buzuku”.

Pse mendoni që të gjitha veprimet e Bashkisë kanë qenë një prapaskenë në dëm tuaj?

Sepse tashmë ne jemi të bindur për këtë gjë. Kur bashkia nisi të vinte në zbatim projektin për zgjerimin e rrugës “Don Gjon Buzuku”, pamë që po ndodhnin gjëra nga më të çuditshmet. Punonjësit e Urbanistikës vinin në lagjen tonë, fotografonin dy-tre nga banesat tona, dhe ashtu siç vinin fshehurazi ashtu dhe largoheshin, duke u përpjekur të mos i shihte njeri. Pasi qëndronin disa ditë në heshtje, shfaqeshin përsëri duke kryer të njëjtin ritual, fotografonin dy-tre shtëpi dhe iknin sërish për t’u rikthyer ditë më pas. Për këtë arsye, që veprimet të mos bëheshin në fshehtësi, ne i kërkuam Bashkisë të ngrinte një komision vlerësimi, i cili të vinte në të gjitha shtëpitë tona, me qëlllim që të fotografonte, të vlerësonte e të verifikonte gjithçka në terren, por edhe pse na premtuan se komisioni i kërkuar do ta ngrihej, kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Pra, gjithçka tregon qartë se transparenca ka munguar totalisht, gjë që do të thotë se veprimet e fshehta nuk ishin gjë tjetër veçse zanafilla e një prapaskene, në të kundër komisioni i kërkuar prej nesh do të ishte ngritur. Megjithatë ne prisnim që qeveria shqiptare të mbante një qëndrim sa më realist që të mos sillte mjerimin e familjeve tona, por ndryshe nga sa shpresonim, ndodhi e kundërta. VKM-ja e kryeministrit ishte shprehje se përmbushjes së dëshirës së Filo-Peleshit

Pse mendoni që mund të ketë ndodhur kështu?

Së pari, më duhet të them, se më në fund u njohëm edhe me masën e dëmshpërblimit të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Çmimet ishin ulur sërish edhe nga qeveria. Nuk i mjaftuan zbritjet që na bëri z. Filo. Në llogaritjen e parë, shtëpia ime vlerësohej 9.205.720 lekë, kurse në llogaritjen e dytë zbriti në 7.505.720 lekë, ndërsa në llogaritjen e tretë  me Vendim të Këshillit të Ministrave,  zbritja e vlerës së shtëpisë shkoj edhe më tej, në 7.361.678 lekë. Megjithatë ne të gjithë tashmë jemi të bindur se VKM-ja e Kryeministrit Rama nuk është gjë tjetër veçse përmbushje e dëshirës së Filo- Peleshit për të na parë në gjendjen më të mjeruar të mundshme. Ai gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Bashki  u përkujdes që në lagjet me shumicë myslimane investimet të ishin sa më të plata dhe numëri i të punësuarve që i përkisnin këtij besimi të ishte sa më i vogël. Tashmë kjo dëshirë e tij po ushqehet edhe nga kryeinistri i vendit. Madje jo vetëm kaq, kryeministri na ka ndarë në ca të nënës dhe në ca të njerkës

Çfarë nënkuptoni me këtë lloj ndarjeje?

Për të kuptuar se mbi ç’kritere ishin përcaktuar çmimet për truallin, ndërtimin dhe njësitë tregtare, ne iu drejtuam me letër ministrisë përkatëse, e cila na dha këtë përgjigje: çmimi i truallit ishte bazuar në nenin 1 të VKM-së, ndërsa çmimi për ndërtim në nenin 2 të VKM-së, por kjo do të thotë se shteti punon me dy standarde, sepse çmimi për truallin i referohet ligjit, ndërsa çmimi për ndërtimin merr parasysh vlerën mestare të llogaritur nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Madje jo vetëm kaq:  në fletoren zyrtare nr. 130, datë 15 gusht 2014, thuhet se për Korçën vlera e ndërtimit është 47.000 lekë metri katror, ashtu sikurse në fletoren zyrtare nr. 118, datë 31 korrik 2014, për truallin, sipas zonës ladastrale 8563, çmimi është 7.535 lekë për metër katror. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjithë këto, ne kryefamiljarët e rrugës “Don Gjon Buzuku”, fal investigimeve tona, kemi zbuluar se për disa familje vlerësimi i banesave ka qenë “më i majmë”. Nuk e dimë saktësisht arsyen, por mund të themi se ata ose janë militantë të Partisë Socialiste, ose janë miq të tyre, ose kanë lidhje të tjera. Të gjitha këto duhet të hetohen nga Prokuroria. E gjitha kjo tablo, rrëfen qartë se Rama na ka ndarë në “ca të nënës” dhe në “ca të njerkës”. Dhe e keqja nuk përfundon këtu: Filo- Peleshi dhe qeveria Rama dëshirojnë të na sakrifikojnë.

Nga Vepror Hasani